(vijon nga numri i dhjetorit)
“Harxhojmë kaq lekë në mësime private, për gjuhë të huaja dhe nuk kemi të drejtë të kemi pretendime?” – thonë prindërit.
Ç’do të thotë të jetë i pari i klasës? Kjo varet nga shkalla e intelektit, nga zgjuarsia, nga puna dhe mundi i tij. Është fjala për një fëmijë të kujdesshëm, të disiplinuar, logjik? Jo. Është diçka më e gjerë. Është fjala për atmosferën që fëmija ka në shtëpi, shëndetin e tij, mënyra me të cilën pranon ose refuzon aftësitë e tij për të mësuar, mënyra me të cilën pranon të jetë i ndryshëm nga fëmijët e tjerë, mënyra me të cilën pranon të jetë i ndryshëm nga ideja që ka krijuar para se të shkojë në shkollë, ose para se të shkojë në klasën që ndodhet. Së fundi, qëndrimi i prindërve përpara situatave të paevitueshme nga hutimi deri tek problemet më thelbësore, probleme që vijnë nga mënyra e të menduarit ose nga karakteri i tij.
Kështu mbytet dhe vuan shpirti fëminor, pastaj mbërrin mosha e adoleshencës, fëmija ngre krye, shpesh shumë egër, duke i hedhur të gjitha në erë.
Albin Michel në librin e tij “Nga djepi në shkollë – rrugët e suksesit” (1966) thotë: “E dimë më mirë se kushdo tjetër se, një fëmijë nuk ka sukses në shkollë, nëse nuk ndjehet mirë në jetën e tij. Suksesi i vërtetë në shkollë shoqërohet me një qetësi shpirtërore në familje. Në qoftë se e harrojmë këtë bëjmë një gabim të madh pedagogjik.”
Që të jemi më të saktë duhet të themi se nxënësit e mirë, si edhe të këqijtë formohen që në shtëpi. Një rol kryesor, siç theksuam, luan atmosfera familjare. Është tepër e rëndësishme për fëmijën të jetojë midis një çifti të lumtur, të ndjejë lumturinë e prindërve të tij, sepse fëmija e ndjen lumturinë ose fatkeqësinë e prindërve. Në këtë drejtim askush nuk mund ta mashtrojë. Ka nevojë të jetojë fundjavat me prindërit e tij, si edhe pushimet e verës. Ka nevojë të përqafojë nënën para se të flejë, të bisedojë me të atin. Nuk duhet të harrojmë se kur zemra e tij nuk kënaqet, truri i tij bllokohet, prandaj pedagogu i madh zvicerian Adolf Ferriere shkroi: “Duam ose nuk duam ne, familja përbën djepin ku endet gjithë bota e ndjenjave të fëmijës dhe pikënisja për një sukses ose disfatë shkollore dhe si rrjedhim e gjithë jetës së tij shoqërore”.
Fëmijët e sotëm, qoftë të shkollave shtetërore apo private janë tepër të ngarkuar me mësimet shkollore e jashtëshkollore: (gjuhë të huaja, aktivitete sportive, kompjuter, studim). Të gjitha këto zënë orë të tëra dhe janë në kurriz të gjumit. Fëmijët 6-7 vjeç flenë, e shumta, 8 orë në një kohë kur fëmijët e kësaj moshe duhet të flenë deri në 12 orë në ditë dhe ata 16 vjeç deri 9 orë në ditë.
Kështu vëmë re se e gjithë jeta e organizuar e fëmijës është e mbingarkuar.
Por paralelisht me ndrydhjen e ndjenjave të fëmijës, ndrydhet edhe bota shpirtërore e tij.
Dihet se çdo edukim fetar i fëmijës nuk mund të ketë rezultat pa pjesëmarrjen e prindërve dhe të gjithë familjes. Janë shumë të rralla ato familje që luten së bashku me fëmijët qoftë edhe të shtunën, apo në tryezën e drekës.
Të dielën, në vend që të shkojnë së bashku me fëmijët në kishë i lënë të flenë, duke u justifikuar se kanë nevojë për çlodhje, kanë nevojë për gjumë, duke u hequr mundësinë e pranisë së tyre në kishë. Pra, mënjanohet ndjenja fetare që është një anë tjerër e ndjenjave në jetën e fëmijës, e cila është sa e rëndësishme aq dhe themelore. Ndrydhja dhe përbuzja e ndjenjës fetare ka pasoja katastrofike në zhvillimin psikologjik të njeriut – theksojnë psikologët e mëdhenj. Jong shkruan: “Në shekullin e dritave dëbojnë Perëndinë nga zemrat e fëmijëve dhe nuk shohin që në vend të tij vendosin një Perëndi tjetër, Perëndinë e tmerrit.”
Edmond Rochedieu thekson: “Fatkeqësisht, shumë shpesh harrojmë se ajo që njeriu ka nevojë që të jetojë është besimi, shpresa, dashuria, dija. Por, këtë dije, ne e vëmë të parën dhe mbysim të gjitha dëshirat e tjera jetësore të fëmijës”. Flasim për një besim të fortë që buron nga një besim i gjallë. Për këtë Edmond Rochedieu në librin e tij “Drejt thellësisë së shpirtit” shkruan: “Në shpirtin e njeriut digjet një flakë e brendshme dhe rrezet e saj ndriçojnë dhe ngrohin jo vetëm personin, por direkt ose indirekt gjithë ambientin e tij”. Dhe pikërisht nga ky fuqizim duam të privojmë fëmijët tanë, të shuajmë këtë flakë.
Në thelb, në vend që ta ushqejmë ndjenjën fetare e mbysim dhe e shtypim. Kuptimi i Perëndisë është i mbjellë tek njeriu, por nëse nuk drejtohet në kohë rrezikojmë të krijojmë një të rritur që nuk ka asnjë dëshirë për lutje.
Çfarë mund të bëjmë? Shumë gjëra. Të rishikojmë qëllimet e arsimit tonë, sepse arsimim duam t’u japim fëmijëve tanë jo njohuri të përcipta. T’u japim mundësinë të çlodhen. “Teknika e pushimit sjell rezultatin e teknikës së punës.” – shkruan Andre Maurois. T’i rrethojmë me dashuri, sepse kjo dashuri është klima më rezultative për zhvillimin e përparimin e fëmijës. “Gëzimi që sundon në shtëpi çdo orë të jetës është një faktor ekuilibri e harmonie për fëmijën – shkruan Suzanne Simon – një burim gëzimi që do reflektojë tek fëmija dhe do ta bëjë të shkojë duke kënduar në shkollë.” Kjo shkollë duhet të përpiqet që të bëhet një shkollë zemre dhe shpirti që do përgatisë njerëz të ekuilibruar.
Përgatiti: Nafsika Melo