EmailFacebookKontakt

Më shumë dashuri!

Me këtë porosi nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, njëkohësisht dhe president i Fondacionit “Fryma e Dashurisë”, nisi viti i ri shkollor 2022-2023.

Që nga viti 1998, Fondacioni “Fryma e Dashurisë”, jep një kontribut të çmuar në disa drejtime, sidomos në edukimin e brezit të ri. Këtë vit shkollor, në 15 kopshte, 3 shkolla 9-vjeçare, 5 shkolla të mesme dhe 1 shkollë të mesme profesionale në qytete të ndryshme të vendit do të arsimohen 2700 nxënës. Në shërbim të tyre do të jetë një staf prej rreth 300 personash.

Si zakonisht, për hapjen e vitit të ri shkollor u krye Shërbesa e Ajazmës së Vogël, për të bekuar ambientet, stafin dhe nxënësit, që ky vit të na rrisë në dituri dhe urtësi që vjen së larti, sepse dituria që vjen nga lart, së pari, është e pastër, pastaj pajtuese, e butë, e bindur, plot mëshirë dhe fryte të mira, e paanshme dhe jo hipokrite. (Jak.3:17)

Ndërsa të dielën, dt.11 shtator 2022, në çdo kishë të vendit u bë lutje për nxënësit.

Vetë Fortlumturia e Tij i bekoi fëmijët për nisjen e vitit të ri shkollor dhe i dhuroi secilit një ikonë të së Tërëshenjtës Mari, me urimin përkatës: “Fëmija im i dashur! Zogjtë fluturojnë me dy krahë. Fëmijët e krishterë lartësohen me krahët e mësimit dhe të lutjes. Perëndia i bekoftë çdo ditë përpjekjet e tua”! Me dashuri të ngrohtë në Krishtin, Kryepiskopi Anastas.

Në përfundim të Liturgjisë, Kryebariu ynë, në fjalën e tij, theksoi:

“…Të gjithë kemi diçka që mund ta ofrojmë, si fëmijët edhe më të rriturit. Sado të varfër apo në vështirësi, mund të ofrojmë dhuratën më të shtrenjtë, dashurinë. Prandaj ju lutem, kudo ku jeni në shkollë, ofroni dashuri; dashuri për bashkënxënësit, dashuri për mësuesit, dashuri për prindërit tuaj që ofrojnë dhe bëjnë aq shumë për ju. Nuk ka gjë më të çmuar se dashuria. Një shkollë nuk është e mirë vetëm kur ka nxënës të mirë apo mësues të mirë. Një shkollë është e mirë kur ka dashuri. Secili dhe secila, i vogël apo i madh, ofroni më shumë dashuri. Kjo le të jetë motoja juaj për këtë vit: Më shumë dashuri!

Perëndia do ta bekojë pasurishtjetën e secilit prej nesh.

Ana Baba