Mitropolia e Beratit është mjaft e madhe, prandaj ka nevojë për më shumë bashkëpunëtorë, të cilët duhet të kenë dëshirë, zell e përkushtim dhe mbi të gjitha dashuri, për të punuar në vreshtin e Perëndisë.
Mitropoliti i Beratit, Hirësia e Tij Imzot Ignati, në datat 20-21 dhjetor 2003, hirotonisi dy klerikë të rinj, të cilët u vlerësuan të denjë për të udhëhequr popullin e Perëndisë nëpër enoritë e tyre.
Hirotonia e parë ishte ajo në prift e dhjakut Tertio, më 20 dhjetor. Mitropoliti, Imzot Ignati, e filloi fjalimin e tij me një fjalë të thënë nga një njeri i thjeshtë, i pashkolluar, por i virtytshëm: “Dua me gjithë shpirt që të kemi një prift në fshatin tonë, e dua që t’i bjerë kambanës dhe të eci në rrugët e fshatit”.
Me të vërtetë, shërbesa e priftërisë është sa e thjeshtë po aq edhe e vështirë, ka shumë gëzim, por është dhe shumë e frikshme. Është e thjeshtë dhe ka gëzim, atëherë kur prifti çdo gjë e bën me thjeshtësi dhe dashuri, sepse atëherë kjo vepër do të bekohet nga Perëndia. Mirëpo shërbesa e priftërisë është e frikshme atëherë kur kësaj vepre i mungon besimi e dashuria sepse kthehet në mallkim.
“Vërtet, theksoi Mitropoliti në fjalën e tij, nuk jemi të shenjtë si Joan Pagëzori, si Apostujt e Shenjtë apo si Etërit e Kishës, por të paktën të kemi dëshirën e mirë, përulësinë e vullnetin e mirë dhe dashamirësinë për të gjithë njerëzit dhe Zoti do të mbulojë një shumicë mëkatesh, prandaj ta fillosh veprën tënde në mëngjes në kishë, i thotë Mitropoliti At Tertios, dhe ta mbarosh atë në mbrëmje po në kishë.”
Të nesërmen, dt. 21.12.2003, Mitropoliti i Beratit ishte në kishën e Shën Gjergjit, të Fierit, ku hirotonisi në prift At Nikolla Bregun nga Frakulla.
Mitropoliti i Beratit i tha ndër të tjera at Nikollës, se këto Krishtlindje të sollën një dhuratë, e cila është dhurata e Shpirtit të Shenjtë, një pjesë të së cilës e ke marrë kur u hirotonise në dhjakon. Për rreth 3 vjet ke shërbyer si dhjakon, me besë e dashuri ndaj Zotit e njerëzve, me dashuri e frymë bashkëpunimi midis vëllezërve bashkëmeshtarë. Duhet pra, që ta vazhdosh këtë rrugë. Ta mbash kandilin ndezur, por kandili që të qëndrojë ndezur ka nevojë për vaj dhe vaji do jetë përpjekja jote për të përballur këto detyra, jo me aftësinë tënde, por me hirin e Perëndisë; aftësia jonë është Perëndia me hirin e të cilit dhe me dëshirën e vullnetin tonë arrijmë të përballojmë këto detyra të vështira.
Aleksander Hamlla