EmailFacebookKontakt

Me rastin e njëvjetorit të fronëzimit të Fortlumturisë së Tij Anastasit, Kryepiskop i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë – Meshë në Katedralen e Ungjillëzimit në Tiranë

Qindra besimtarë dhe tërë klerikët nga e gjithë Shqipëria kishin mbushur të hënën, më 2 gusht, katedralen e Ungjillëzimit në Kryeqytet, për t’i uruar Kryepiskopit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë Anastas, njëvjetorin e fronëzimit të tij në këtë vend të lartë. Në këtë ditë Kisha jonë Orthodhokse feston të kremten e Shën Stefanit, dëshmorit të parë të Kishës së krishterë.

Me këtë rast përshëndetën sekretari i Këshillit të Përgjithshëm për çështjet eklesiastike të KOASH-it, zoti Dhimitër Beduli, epitropi i Përgjithshëm arkihieratik i Kishës sonë at Joan Trebicka, të cilët vunë në dukje punën e madhe të bërë nga Kryepiskopi ynë Anastas gjatë kësaj periudhe megjithë vështirësitë e shumta që janë përpjekur t’i krijojnë atij dhe vetë Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, qarqe e persona të caktuar keqdashës. Duke nënvizuar arritjet, ata e falënderuan nxehtësisht Fortlumturinë e Tij Anastas për kontributin e madh që ka dhënë për riorganizimin e rindërtimin e Kishës sonë dhe për forcimin e autoqefalisë së saj duke e radhitur në një radhë me Kishat e tjera simotra të Krishtit në Evropë e në botë, duke i dhënë asaj vendin që meriton e që e ruan prej dy mijë vjetësh në gjirin e këtyre Kishave. I urojmë të gjithë përfundoi at Joani jetë të gjatë, me shëndet, me paqe dhe me dashuri dhe që ky përvjetor i bekuar për kishën tonë të festohet për shumë vjet dhe me hirin e Perëndisë ta gjejë Kishën tonë më të lulëzuar, më të ndriçuar e më të fortë.

Pjesëmarrësit në Meshë i shoqëruan këto fjalime me duartrokitje të ngrohta dhe me thirrje “Anastasi, Anastasi”. Pastaj, një nga një, të gjithë pjesëmarrësit u përshëndetën me Kryepiskopin, duke i uruar atij jetë të gjatë dhe suksese të mëtejshme me ndihmën e Zotit Iisu Krisht, për të mirën dhe lavdinë e Kishës sonë.

Korresp. i “Ngjalljes”