85 vjet më parë, në Boston të SHBA-së u celebrua mesha e parë në gjuhën shqipe nga Imzot Fan S. Noli, të cilin e përkujtojmë gjithashtu edhe me rastin e 28-vjetorit të vdekjes së tij më 5 mars 1965.
Tetëdhjetë e pesë vjet më parë, më 22 mars 1908, u celebrua mesha e parë në gjuhën shqipe, në qytetin Boston, prej të parit prift të Kishës Orthodhokse Shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, At Fan S. Nolit, hirotonisja e të cilit në gardën priftërore ishte kryer dy javë më parë prej episkopit rus Platon. Kjo meshë solemne, e cila siç ishte e natyrshme, u zhvillua nëpërmjet një gëzimi të papërshkruar dhe të një emocioni të thellë të patriotëve shqiptarë që asistuan në të, duke mbushur kishën plot e përplot, si edhe themelimi, në të njëjtën ditë, i së parës Kishë shqiptare, përbëjnë një ngjarje me rëndësi të madhe historike, jo vetëm për Kishën, por edhe për mbarë popullin shqiptar.
Në të njëjtën kohë, kur në Shqipërinë mëmë lufta e popullit tonë për liri e pavarësi shkonte gjithnjë duke u shtuar, me gjithë masat e egra shtypëse të okupatorit otoman, shqiptarët e mërguar nëpër shtetet e ndryshëm, si në Bullgari, Rumani, Rusi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e gjetkë, deri dhe në vetë zemrën e perandorisë otomane, Stambollin, duke patur terren më të favorshëm, i hynë me mish e me shpirt punës së shenjtë dhe të gjithanshme për njohjen e së drejtës legjitime të popullit shqiptar për të qenë i lirë e sovran, ashtu siç meritonte një populli martir, i cili, me luftrat e tij heroike kundër invazorëve otomanë, me në krye heroin legjendar, Skënderbeun, çuditi botën e mbarë për një çerek shekulli me radhë.
Në kuadrin e këtij aktiviteti të gjithanshëm kombëtaro-patriotik për çlirimin e Atdheut tonë të dashur, në ato vite zije e mjerimi për popullin shqiptar, bën pjesë të pandarë dhe lëvizja për pavarësinë dhe kombëtarizimin e Kishës sonë, e ndërmarrë sidomos nga shqiptarët e mërguar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me iniciativën e një numri patriotësh të shquar për atdhedashuri, me në krye Fan S. Nolin, i cili e drejtoi me urtësi Kishën Orthodhokse Shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës qysh nga data e themelimit të saj deri në vdekjen e tij dhe i cili ka dhënë një kontribut shumë të çmuar në kombëtarizimin e Kishës sonë si tërësi, sidomos me anën e përkthimit në gjuhën shqipe dhe të përshtatjes muzikale të librit të shërbesave fetare.
Pikërisht sepse kjo lëvizje për pavarësinë dhe kombëtarizimin e Kishës sonë nuk ishte e rastit dhe me karakter thjesht fetar, por bën pjesë në lëvizjen e gjithanshme të ndërmarrë nga populli ynë për çlirimin nga zgjedha dhe influenca e huaj e tërë sektorëve të aktivitetit dhe të jetës së vendit, prandaj dhe rëndësia e saj historike nuk ishte vetëm kishtare, por edhe kombëtare.
Dhe gjithkush e kupton se të gjitha ngjarjet në vetvete, që i referohen luftës së popullit tonë për liri dhe pavarësi, qoftë me armë në dorë apo me çdo mënyrë tjetër, sipas kushteve aktuale lokale, dhe qoftë brenda apo jashtë Shqipërisë, nuk janë të shkëputura dhe të pavarura nga njëra-tjetra, por të lidhura ngushtë në mes tyre, si pjesë përbërëse të një epopeje të tërë.
Pra, 22 marsi 1908 është data historike, e cila përbën bërthamën dhe gurin themeltar të autoqefalisë dhe të kombëtarizimit të Kishës Orthodhokse shqiptare si tërësi. Në ndërgjegjen e Kishës dhe të popullit tonë, kjo ngjarje me rëndësi të madhe historike, ka qenë çmuar dhe vlerësuar kurdoherë siç i meriton. Por në regjimin ateisto-komunist, i cili nuk njohu kurrë sakrificat e patriotëve të vërtetë dhe të popullit tonë në përgjithësi, por shtrembëroi ose la qëllimisht në harresë faktorët e vërtetë që u kanë shërbyer interesave kombëtare. Edhe kjo ngjarje me rëndësi kishtare dhe kombëtare u errësua, duke u mbytur në llumin e pasioneve të lindura nga ndjenjat egoiste të komunistëve.
KOASH duke ushtruar sot misionin e saj fetaropatriotik në Atdhe të lirë e sovran, e përshëndet nga zemra 85-vjetorin e themelimit të së parës Kishë Orthodhokse Shqiptare dhe e përkujton këtë ditë si një datë të shënuar, në të cilën u hodhën themelet e palëkundshme të autoqefalisë dhe të kombëtarizimit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në tërësi. Njëkohësisht Kisha jonë përshëndet nga zemra, duke iu uruar shëndet të plotë dhe jetë të gjatë, tërë patriotët veteranë, të ndodhur brenda apo jashtë Atdheut, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre të çmuar në këtë drejtim dhe që i kanë qëndruar deri në fund besnikë kishës e Atdheut. Në këtë përvjetor ajo përkujton dhe hirësinë e tij Imzot Fan S. Noli në 28-vjetorin e vdekjes së tij, si protagonisti i 22 marsit 1908 dhe luftëtar i shquar për një kishë kombëtare shqiptare të pavarur, së cilës i ka kushtuar pjesën më të madhe të aktivitetit të jetës së tij. Nga ana tjetër, përkujtojmë me veneracion, në këtë ditë historike, tërë patriotët e vërtetë, të cilët, me kalimin e kohës, kanë ndërruar jetë.
Dhimitër Beduli