EmailFacebookKontakt

Me mirënjohje në shpirt

Një i ri u shthur, por u pendua kaq shumë saqë la botën dhe u bë murg. Bëri një kasolle në shkretëtirë dhe qante përditë, me shumë dhimbje, për mëkatet e tij. Nuk mund të ngushëllohej dot me asgjë.

Një natë, iu shfaq në gjumë Iisui, i rrethuar nga dritë qiellore. Vajti pranë tij me mirësi:

– Çfarë ke njeri dhe qan me kaq dhimbje? – e pyeti me zërin e Tij të ëmbël.

– Qaj, o Zot, sepse rashë, – tha mëkatari me dëshpërim.

– Po atëhere ngrihu.

– Nuk mundem vetëm o Zot.

Atëhere, Mbreti i dashurisë zgjati dorën e Tij hyjnore dhe e ndihmoi të ngrihej. Megjithatë, ai nuk pushonte së qari.

– Tani pse qan?

– Më vjen keq, o Krishti im, sepse të hidhërova. Harxhova pasurinë e Hireve të Tua në plangprishësi.

Zoti njeridashës, vuri dorën e Tij me dashuri tek koka e mëkatarit dhe i tha me gaz:

– Meqë ty të vjen kaq shumë keq për mua, unë nuk hidhërohem më për të kaluarat.

I riu ngriti vështrimin e tij për të falenderuar Shpëtimtarin e tij, por Ai nuk qe më aty. Në vendin ku shkelte ishte formuar një kryq i ndritshëm shumë i madh. I çliruar tani nga barra e mëkatit, i riu ra përtokë dhe u fal tek kryqi.

Me mirënjohje në shpirt, pas atij vizioni, i riu përsëri zbriti në qytet, për t’u bërë tanimë predikues i zjarrtë i pendimit dhe për të udhëhequr te Krishti shumë të shthurur të tjerë.