EmailFacebookKontakt

Me dëshirën që të punojnë së bashku për t’i shërbyer Kishës

Me dëshirën që të punojnë së bashku për t’i shërbyer Kishës…

– SYNDESMOS, Organizata Botërore e Rinisë Orthodhokse mbush 50 vjet nga krijimi i saj –
– Asambleja e saj e radhës do të zhvillohet në Shqipëri, nga 14 – 22 korrik 2003 –

“Duke u kujdesur të ruani bashkimin e Frymës në lidhjen (syndesmos) e paqes” (Efesianëve 4:3)

SYNDESMOS u themelua në vitin 1953, nga një grup premtues të rinjsh teologë nga Evropa Perëndimore, Greqia dhe Lindja e Mesme. Qëllimi ishte të promovoheshin dhe nxiteshin kontaktet midis grupeve rinore orthodhokse në këto rajone. Sot, SYNDESMOS është zhvilluar në një federatë ku marrin pjesë 126 lëvizje rinore dhe shkolla teologjike, nga 42 vende të botës. Në qendër të këtij bashkëpunimi është dëshira e të rinjve orthodhoksë që të punojnë së bashku për t’i shërbyer Kishës, unitetit të saj, dëshmisë dhe rinovimit. SYNDESMOS ka në punën e vet mbështetjen, nxitjen dhe bekimin e të gjitha kishave kanonike Orthodhokse.

Historia e SYNDESMOS ka qenë dëshmi e një iniciative konstante dhe dinamike në jetën e Kishës. Megjithëse është një organizatë rinore, SYNDESMOS ka dhënë kontribut në çështje që kanë të bëjnë me të gjithë Kishën Orthodhokse. Të rinjtë orthodhoksë – nëpërmjet SYNDESMOS – kanë qenë përfshirë në çështje të tilla themelore si: rilindja e misionit orthodhoks; angazhimi i përgjegjshëm ekumenik; përpjekjet drejt unitetit orthodhoks dhe rinovimi Eukaristik në botën Orthodhokse; forcimi i kontakteve, lidhjeve midis Orthodhoksëve dhe Kishave Orientale Orthodhokse etj.

SYNDESMOS i përgjigjet me të njëjtin impenjim edhe sfidave që ofron koha e sotme, duke e përqendruar punën në ato rajone, ku organizatat rinore kanë vështirësi për të ecur dhe zhvilluar vetëm me forcat e tyre. Por, qendror mbetet gjithmonë uniteti i rinisë dhe i botës Orthodhokse. Kështu, në vitet 2001-2003 puna e SYNDESMOS është e fokusuar në:
-kooperimin e rinisë orthodhokse
-trajnimin e udhëheqësve rinorë
-ndërgjegjësimin teologjik
-dialogun e ndërkrishterë

Në periudhën e fundit projektet e SYNDESMOS kanë përfshirë seminare për bioetikën, nacionalizmin, gazetarinë dhe misionin, mbledhje të instituteve teologjike, kurse trajnimi për ata që punojnë me rininë, festivale ndërkombëtare rinore dhe pelegrinazh në Malin e Shenjtë. Sidoqoftë, synimi fillestar i SYNDESMOS, mbetet edhe sfida e saj për të ardhmen, duke vazhduar përpjekjet për të mbështetur nevojat e të rinjve brenda Kishës Orthodhokse, dhe të rinovojë dëshminë e dhe mësimet e saj në shek. XXI.

2003 – Asambleja e 17-të e SYNDESMOS

Asambleja e Përgjithshme është ngjarja kryesore në jetën e SYNDESMOS; ajo është organi me autoritet qeverisës, që mblidhet çdo katër vjet, për të zhvilluar qëllimet e SYNDESMOS nëpërmjet konsolidimit dhe vlerësimit të punës së bërë. Puna e SYNDESMOS koordinohet nga Sekretari i Përgjithshëm dhe ka edhe një bord administrimi me 15 vetë, ku përfshihet presidenti, 3 zëvendëspresidentë 10 përfaqësues të rajoneve të ndryshme të botës dhe një përfaqësues i Kishave Orthodhokse.

Asambleja e 17-të e SYNDESMOS do të zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, në Akademinë Teologjike Orthodhokse “Ngjallja e Krishtit”, nga 14-22 korrik 2003. Ajo do të bashkojë rreth 200 pjesëmarrës, delegatë nga organizatat anëtare, organizata partnere dhe ato ekumenike, si dhe të ftuar të tjerë, stafi dhe të rinjtë që do të ndihmojnë vullnetarisht.

Sipas organizatorëve, mbledhja e Asamblesë në kontekstin e një kishe të ringjallur nga hiri i periudhës ateiste, e cila vazhdon të ecë e sigurt në rrugën e saj të ringritjes, do të jetë një burim frymëzimi për të gjithë pjesëmarrësit.