Korçë
Më afër Perëndisë,
më afër njeri-tjetrit
Atje ku shpirti gjen prehjen, ku është më
afër Perëndisë, i shkëputur për disa kohë nga
jeta plot zhurmë e qytetit, mes një natyre të
qashtër plot me nuanca ngjyrash, lart në majën
e një kodre qëndron e fshehur mes drurëve
shumëvjeçarë një kishëzë e vogël, që rrallëherë
në vit provon himnet liturgjike dhe sheh njerëz.
Dhe e hapi derën kjo kishëz, zgjati krahët e
saj dhe mbështolli me atë madhështi të padukur
të rinjtë që u mblodhën rreth saj. Aty rrotull,
nën hijet e errëta të pyllit, mori jetë një kamping.
Sa i bukur, sa përrallor, sa hyjnor, ky vend, të
cilin, megjithëse terreni e mban larg njerëzve,
këta të fundit, duke kapërcyer këtë largësi, vijnë
për të gjetur dhe kërkuar shpresën, preludin e
një jete me Perëndinë. Bekimi i Hirësisë së Tij,
Mitropolitit Joan të Korçës, nisma dhe
angazhimi i At Jani Trebickës, bënë që një grup
të rinjsh të shijonin për disa kohë këtë mjedis,
ku qiellorja puthte tokësoren, ku mistikja
shkrihej me realen.
Në fillim u ngritën çadrat, dikush mblidhte
drurë në pyll, disa të tjerë rregullonin orenditë
brenda në kishë dhe qetësia rrethonte si me një
vel trasparent gjithë atë punë të thjeshtë, por
tepër domethënëse. At Jani udhëzonte, dikush
tjetër përgatiste zjarrin për të gatuar ushqimin
dhe çdo gjë thithte përbrenda një kuptim dhe
rrezatonte një dimension. Dita fillonte me dritën
e kandileve dhe përfundonte po me këtë dritë.
Diku në një kënd të pyllit zhvillohej një bisedë
shpirtërore; ndodhi, impresione, përpjekje për t’u
futur sa më thellë në jetën me Krishtin. Të gjithë
të mbledhur rreth zjarrit dëgjojnë nga goja e At
Janit mësimet dhe thesaret shpirtërore, që
Shpirti i Shenjtë i jep Kishës sonë, ndërsa ditët
vazhdojnë e ecin; sot me një vizitë në fshatin
Vithkuq, nesër në manastirin e Shën Petrit dhe
Pavlit, i cili, megjithëse e ndjen mungesën e
murgjve flet me afresket dhe ikonat, sa
mbresëlënëse dhe frymëzuese, aq edhe estetike.
Por, mbresa më e bukur do të ishte takimi që u
zhvillua, kur Hirësia e Tij, Imzot Joani vizitoi
kampin. Të gjithë të rinjtë të mbledhur në kishën
e vogël dëgjuan se çdo të thotë të lexosh Ungjillin,
si të reflektosh e meditosh rreth tij dhe
veçanërisht, takimi dhe biseda me Hirësinë e Tij
rreth zjarrit të natës, do të ishte pika kulmore e
gjithë kampingut.
Ditët kaluan shumë shpejt dhe ne përsëri do
të kthehemi në qytet, por tanimë, të mbledhur
sërish nën flakën e zjarrit të fundit të
kampimgut, të gjithë të rinjtë shprehin mbresat
dhe optimizëm për vazhdimësinë e kësaj tradite
të nisur, duke marrë me vete diçka të pa-
shlyeshme. Jeta Liturgjike, bisedat shpirtërore,
prania e padukshme, por mjaft e qartë e Profetit
Ilia, Shenjtit të Kishës, bënë që të kuptonim se
sa më afër Perëndisë të jesh, aq më afër njeri-
tjetrit do të jemi.
Anesti Dhima