“Si një yll u shfaqe në këtë jetë, o Kozma, dhe botës, me fjal’ e me gjak, i dhe dritë” (Tropari)
Fundgushti mbledh në mjediset e manastirit të Shën Kozmait në Kolkondas mijëra besimtarë nga afër dhe larg, orthodhoksë të besimeve të tjera, për të përkujtuar ditën e martirizimit të Shenjtit.
Aty buzë lumit, mes një natyre që ndjell qetësi në shpirt dhe ndihesh më afër Perëndisë, gjithsecili vjen të kërkojë dhe të gjejë shpresën, preludin e një jete me Perëndinë.
Ndërsa lutjet ndjekin njëra-tjetrën, në bisedat, fjalët, lutjet, meditimet e besimtarëve të të gjitha moshave ndihet zëri dhe fjala e Shenjtit për të cilin kanë ardhur të nderojnë. Fjala e tij është frymëzim hyjnor. Ai vjen si dhembje dhe shpëtim i vuajtjeve njerëzore, është vetë fuqia ripërtëritëse e shpirtrave të lodhur, vjen si misionar i bashkëjetesës njerëzore, është vetë urë lidhëse midis zemrave. Ai vjen si profet dhe është ndezës i fenerëve të shpirtrave që përpëliten për të gjetur pak ngrohtësi e shpresë. Ai shfaqet në përfytyrimet e gjithë secilit shpirtflakë dhe i paepur me Ungjillin e Shenjtë në dorë, ku kish gjetur margaritarë, thesare pasuri, gëzim, urtësi dhe jetë shekullore e në dorën tjetër mbante Kryqin e Shenjtë që e ngulte në tokë. Ndërsa hipte në një stol ku turma e njerëzve ishte e mbledhur predikonte: “Dëgjoni, o njerëz të mirë fjalën e Jisu Krishtit!” Ai po flet dhe zërat e njerëzve fashiten dalëngadalë e mërmërimat luten si zogj nëpër gjethet e plepave dhe shelgjeve buzë lumit dhe fëmijët mbështeten në gjoksin e prindërve.
“O njerëz të mirë, lidheni jetën tuaj me Jisu Krishtin nëpërmjet lutjes. Mbusheni mendjen dhe zemrën me fjalën e Perëndisë. Çdo ditë fillojeni me lutje, që Perëndia t’ju ndihmojë në ecjen tuaj”.
Besimtarët e shumtë e kanë bërë traditë të përvitshme ardhjen për kremtimin e ditës së Shenjtit këtu në Kolkondas. Shenjti ka lënë gjurmë të thella dhe të pashlyeshme në ndërgjegjen e besimtarëve. Baba Kozmai erdhi i gjallë deri në ditët tona me predikimet dhe me profecitë e Tij. Ai thosh: “Kush dashuron Perëndinë nuk trembet nga asgjë”.
Në orën 19:00 filloi Mbrëmësorja dhe më vonë Pasdarka dhe për gjithë natën u bë agripni e drejtuar nga at Refail Rredhi, prift i këtij manastiri dhe at Emanuel Bega, prift i manastirit të Ardenicës, me studentët e Akademisë Teologjike në Shën Vlash, Durrës e besimtarë të ndryshëm. Më 24, në mëngjes, erdhi Mitropoliti i Beratit, Vlorës, Kaninës e të gjithë Myzeqesë Ignati, për të kryesuar Liturgjinë Hyjnore. Liturgjia u ndoq nga besimtarë të shumtë të ardhur nga rrethe të ndryshme e Greqia. Këtë vit tërhoqën vëmendjen studentët e Akademisë Teologjike, të cilët shoqëruan në kor psalmet dhe lutjet gjatë Liturgjisë. Gjatë predikimit Hirësi Ignati foli për jetën dhe veprën e Shenjtit nga lindja, vepra e tij kishtare, misionare, arsimore e deri në martirizim, ditë që kujtohet sot.
Ndër të tjera Hirësi Ignati tha: “Suksesi më i madh i Shën Kozmait është vepra e predikimit të shenjtë, vepra e mrekullueshme pedagogjike, arsimore me ndriçimin e shenjtë atëror të popullit me krijimin e shkollave. Kudo që shkelte këmba e Tij krijonte shkolla, se shkolla hap kishat dhe manastiret. Mbas mbarimit të Liturgjisë Hirësi Ignati i shoqëruar nga besimtarë të shumtë bën litaninë rreth kishës me ikonën e Shenjtit. Mbas marrjes së kungatës dhe naforës besimtarët falënderojnë zotin që u dha mundësinë të përjetonin së bashku këtë ditë dhe ngjarje të rrallë. Ata falënderojnë Hirësi Ignatin për shërbesën dhe predikimin që ai mbajti dhe së fundi bashkojnë urimet më të mira nga zemra si një buqetë e madhe lulesh për Kryepiskopin e Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë Prof. Dr. Anastasin, si i dërguar i Perëndisë që me fondet, angazhimin dhe përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm bëri rikontruksionin e këtij manastiri dhe pas disa vjet punimesh doli në dritë duke e ringjallur përsëri atë.
Për këtë ditë të shënuar falënderojmë Drejtorinë e Policisë së qarkut Fier, që me praninë e saj në këtë festë siguroi rregull dhe qetësi gjatë festës. Falënderojmë shërbimin elektrik Fier, që siguroi pa ndërprerje ndriçim për 24 orë. Falënderojmë televizionet rajonale “Apollon” dhe “Kombi” për pasqyrim korrekt në ekranet e tyre të kësaj feste.
Llazar Çuka