Në vigjilje të së kremtes së madhe të Shën Harallambit, të enjten, më 9 shkurt, të rinj orthodhoksë nga Tirana dhe studentë të Shkollës sonë Teologjike-hieratike, anëtarë të lidhjes rinore “Bij të Dritës”, u mblodhën në kishën e Ungjillëzimit për shërbesën e mbrëmësores, ku ishte i pranishëm dhe Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, Anastasi, i cili u foli shkurtimisht për Letrën e dytë të Apostull Pavlit drejtuar Timotheut dhe jetën e Shën Harallambit.
Pas lutjesh të përbashkëta, të mbledhur në një mjedis të kishës, të rinjtë zhvilluan një bashkëbisedim të ngrohtë me Fortlumturinë e Tij dhe midis tyre, duke shprehur lirshëm mendime për drejtimet ku duhet të përqendrohen përpjekjet në sezonin e ri të veprimtarive, për të pasur në të ardhmen një jetë më dinamike në përhapjen e Fjalës së Perëndisë. Ata duhet të bëhen nxitës për organizimin e veprimtarive më të shpeshta e më cilësore, që dhe rinia të luajë rolin e saj në zhvillimin e mëtejshëm të Kishës sonë, ashtu siç theksoi dhe Kryepiskopi në fjalën e tij, “për t’u bërë dhe ne apostujt e Krishtit në përhapjen e Ungjillit të së vërtetës”. Në fund, nga pjesëmarrësit u shpreh dëshira dhe u vendos që këto takime të jenë të përjavshme.
Kristina Hanxhari