EmailFacebookKontakt

Mbledhje për fuqizimin e Kishës

Në dhjetëditorin e fundit të majit bëri një vizitë pune një delegacion prej 14 vetësh i Këshillit Botëror të Kishave dhe Konferencës Evropiane të Kishave. Në përbërje të tij kishte përfaqësues nga Kishat që janë në përbërje të këtyre organizmave. Qëllimi ishte njohja me punën e bërë dhe problemet që i dalin para Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe diskutimi i mundësive që kanë këto organizma dhe Kisha për të ndihmuar në mënyrë konkrete.

Pjesëtarët e delegacionit morën pjesë në liturgji dhe bënë vizita njohëse në Berat, Elbasan, Durrës etj., patën takime të zgjeruara me besimtarët etj.

Vizita kulmoi me tryezën e rrumbullakët, me përfaqësinë e KOASH, me në krye Fortlumturinë e Tij, Kryepiskopin Anastas.

Nga ana e Kryepiskopit dhe përfaqësuesve të tjerë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, iu bë miqve një tablo e qartë e gjendjes aktuale dhe e nevojave prioritare, si për ngritjen e Seminarit, ngritjen e kishave të shkatërruara, kërkesa për zgjerimin e ndihmës dhiakonale, nevojën e botimeve fetare dhe për katekizmin etj. Nga ana e përfaqësuesve të delegacionit, pasi u falenderua për mirëpritjen, u vunë në dukje mundësitë që kanë këto organizma për të ndihmuar dhe u bënë premtime konkrete ndihme, për të filluar këtë bashkëpunim, i cila do të synohet të realizohet brenda këtij viti.

Në takim u fol gjithashtu edhe për problemin e pronave të Kishës dhe gjendjen e të drejtave fetare në Shqipëri dhe u premtua mbështetje nëpërmjet organizmave ndërkombëtare dhe konsulencë juridike.

Korresp. i “Ngjalljes”