Engjëjt, të cilët e kultivuan dashurinë për njerëzit nga vetë Perëndia i Tërëmirë, janë mbrojtësit tanë të shpejtë, ndërmjetues të palodhur dhe të pandërprerë pranë Zotit.
Engjëjt janë krijimi i parë i Zotit. Ata ndriçohen nga drita e pakrijuar dhe e transmetojnë atë… Ata janë ndërmjetuesit e drejtpërdrejtë të njerëzve te Zoti dhe marrin pjesë në natyrën hyjnore, sepse ua dha Perëndia, por ne nuk i quajmë perëndi nga natyra.
Engjëjt janë qytetarë e Jerusalemit të Përmbidheshëm e të lirë. Ata po na përgatisin tendat e sipërme dhe banesat qiellore. “Sa të dashura janë tendat e tua, o Zot i ushtrive, shpirti im dëshiron dhe gjen strehë në oborret e Zotit”, në tendat e mrekullueshme engjëllore të të drejtëve, ku “ndihet pa pushuar zëri i atyre që kremtojnë në shtëpinë e Zotit”.
…Çdo shpirti i jepet një engjëll prej Zotit. Por edhe çdo kombi shpresëtar i është dhënë një engjëll i veçantë nga Zoti, për ta siguruar. Prandaj thuhet: “Ai vendosi kufijtë e kombeve sipas numrit të engjëjve të Zotit”. Engjëjt e qiellit transmetojnë misteret e Zotit në tokë. Ata ruajnë ujërat dhe burimet, e na japin shërim. Engjëjt i çlirojnë të denjët nga tundimet, siç thuhet: “Një engjëll i Zotit ndërhyn në rrethin e atyre që i druhen Atij dhe i çliron”. Engjëjt ruajnë lipsanet e martirëve, ata ruajnë altarët dhe tempujt e besimtarëve. Çdo lutje, çdo përgjërim drejtuar Zotit, ngrihet prej tyre nga toka në qiell. Edhe dhuratat e Perëndisë na jepen nëpërmjet engjëjve të shenjtë dhe çdo mister hyjnor realizohet nëpërmjet tyre. Kështu, Zoti i urdhëroi Keruvimet të ruanin pemën e jetës, e cila ishte e paarritshme për njeriun e rënë.
Ai mori formën e tre engjëjve për t’i shfaqur Abrahamit në një formë të kapshme për njeriun dhe për t’i shpallur Trininë e Shenjtë.
Për engjëjt, lumi i zjarrtë ishte zjarri, të cilin Moisiu e pa të digjte shkurren e padjegur, gjë që parashikonte bashkimin e papërzier të Zotit me natyrën tonë njerëzore, e cila mbart gjembat e mëkatit.
Megjithëse janë të gjithë të të njëjtës esencë, kur engjëjt shfaqen, nuk marrin një formë të caktuar, as të njëjtën formë gjithmonë; herë shfaqen si të rinj, herë si ushtarë ose kuaj, ndërsa ndonjëherë edhe në formën e demave, luanëve apo shqiponjave, si kuaj të zjarrtë apo edhe si karroca dhe rrota.
Megjithatë, le të shikojmë shërbimin e engjëjve në Dhiatën e Re.
Te Virgjëresha vjen Gabrieli, adhuruesi i Zotit, kryetari i korit dhe ekzarku i të kualifikuarve të brezit më të lartë të krijesave jotrupore, lajmëtari dhe nismëtari i njerëzve në misteret e shenjta dhe të fshehta të Perëndisë. Ai vjen për t’i sjellë gëzim Bijës së qashtër dhe për të lumturuar natyrën tonë të vdekshme. Gabrieli vjen te Virgjëresha, duke i treguar asaj thelbin e vet të vërtetë. Virgjëresha jonë është e vetmja që mundi ta shihte Engjëllin ashtu siç është në të vërtetë, që nga bukuria e shërbëtorit, të admironte bukurinë e Perëndisë së Tërëlartë.
Edhe kur Zoti lindi në tokë, engjëjt erdhën te barinjtë për t’i udhëhequr në grazhdin e Betlehemit. Dhe atje, duke admiruar misterin e madh të Mishërimit Hyjnor, ata kënduan me zjarr: “Lavdi Perëndisë në më të lartat”. Një engjëll i qiellit, i shndërruar në yll, i drejtoi magët në rrugën drejt Atij që thotë: “Unë jam Rruga”. Dhe kur ata u larguan, Engjëlli e njofton përsëri Josifin që të niset për në Egjipt me nënën dhe Fëmijën. Pas Pagëzimit të Jisuit, engjëjt vijnë përsëri tek Ai për t’i shërbyer në shkretëtirë; jo sepse ata u ndanë ndonjëherë nga Perëndia i tyre, por që të besojmë se ai që mbahet i pastër pas pagëzimit ka engjëj, që t’i shërbejnë në mënyrë të padukshme.
Së fundmi, kujtojmë engjëjt e ndritshëm e të çuditshëm që iu dukën miroprurëseve në varrin e gjallë të Krishtit, të cilët shpallën gjëra të mrekullueshme e të mëdha.
Engjëjt janë dritë! Është drita e dytë pas Zotit, që është drita e dritave. Ata quhen engjëj, sepse u shpallin njerëzve vullnetin dhe vendimet e Zotit, pa qenë asgjë e tyre.
Pjesë e shkëputur nga shën Theodhor Studiti
Përktheu: E. Pani