Kremtimi i përbashkët i tyre, me qëllim që të nderohen sa më tepër, nisi ndoshta që kur Konstandini i Madh (21 maj), ndërtoi në Konstandinopojë Kishën e Dymbëdhjetë Apostujve, mauzoleumin e pothuaj të gjithë perandorëve, ku i pari u varros vetë ai, në mes të dymbëdhjetë arkivoleve të Apostujve (pjesa më e madhe e tyre ishin ende bosh, sepse nuk ishin grumbulluar deri atëherë lipsanët e tyre të shenjta). Kjo bazilikë u dogj gjatë “Revoltës së Nikas” (v. 532), dhe kështu Justiniani I (v. 527 – 565), ndërtoi gjatë viteve 536 – 546 kishën e tij të famshme të Apostujve, që ishte kryevepra e dytë e Bizantit pas Shën Sofisë!
Pas rënies se Konstandinopojës (v. 1453), ajo u bë Kashë Patriarkale, por sulltan Mehmeti II (v. 1451-1481), e shembi dhe ngriti në vend të saj xhaminë me emrin e tij (Mehmedie). Arkitekturën e saj monumentale e kopjuan disa kisha moderne. E barabartë për nga vlerat ishte kisha e Perëndilidëses në Efes, tashmë e rënuar, dhe ajo e Shën Markut në Venecia (shek. 11-të).
Në derën e Kishës ishin të skalitur emrat e të Dymbëdhjetëve (dhe se si u martirizua secili): Petri dhe Pavli (29 qershor); Andrea (30 nëntor); Jakov Zevedeu (30 prill); Joani (26 shtator); Filipi (14 nëntor); Vartholomeu (11 qershor); Thomai (të Dielën pas Pashkës); Matteu (16 nëntor); Simoni (10 maj); Marku (25 prill) dhe Llukai (18 tetor). Lista nuk përputhet me listat biblike (Mat. 10:2-4; Mark. 3:16-19; Luk 6:14-16; Vep. 1:13), sepse në grup u përfshinë në sajë të kontributit të tyre Pavli dhe Ungjillorët Marku e Llukai, në vend të Apostujve Jakov Alfeu (9 tetor), Thadheu (21 gusht) dhe Matthia (9 gusht). Jakov Alfeu, Matthia, Marku e Llukai kremtohen edhe me Shtatëdhjetë Apostujt (4 janar).
Gjithsesi, Himnologjia sot vazhdon t’u thurrë lavde Korifenjve Petri dhe Pavli që festohen një ditë më parë, në radhë të dytë të Dymbëdhjetëve, por edhe Apostujve të tjerë. Fillimisht mbledhja kremtohej të Dielën pas Pashkës.