“Ne do të bëjmë vetëm një përpjekje, do të duam studimin dhe kjo do të na çojë në shenjtërim” Kur isha në Malin e Shenjtë, merresha vetëm me studim. Isha tetë ose nëntë vjeç dhe nuk dija nga gjërat shpirtërore. Lexoja në Zbulesën e Krishtit dhe Zbulesën e së Tërëshenjtës. I kisha mësuar përmendësh. Por kush e di se si i thosha, ndoshta edhe gabim, pasi nuk e dija ende fjalorin kishtar, çfarë do të thoshte. I mësova pa ditur çfarë kuptimi kishin, por, meqenëse janë libra të shenjtë, i lexoja dhe kur i gjeja përsëri, i kuptoja, pasi i krahasoja me të parat. Kur nisa jetën murgërore, i dhashë rëndësi të madhe bindjes, duke lexuar jetët e shenjtorëve që i ishin përkushtuar bindjes, e kështu u përpoqa edhe unë që t’i imitoja. Kjo gjë më kënaqte shumë. Me hirin e Perëndisë, lexoja vetëm libra të Kishës sonë dhe Shkrimin e Shenjtë. Nuk i kuptoja, por megjithatë i lexoja. As fjalor nuk kisha, asgjë. As edhe kisha pyetur nëse kishte ndonjë fjalor. Por më vonë, nga leximi i shumtë, nisa të kuptoja dhe të shpjegoja ato që lexoja. Me ndihmën e bindjes, mendja ime u hap. Kështu nisa të kuptoj shumë gjëra, edhe nga ato që i shpjegoja, por edhe të tjera që nuk i dija më parë. I shpjegoja fjalët nga vargje të tjera. Ky ishte fjalori im. Shkrimi i Shenjtë nëpërmjet Shkrimit të Shenjtë.
Bëra edhe diçka tjetër. Për të pasur mendim të pastër, lexoja – sa më lejonin punët – nga Ungjilli, Psaltiri etj. I lexoja për t’i mësuar përmendësh. Dhe me të vërtetë, me hirin e Perëndisë, mësova përmendësh Ungjillin sipas Mattheut, sipas Joanit, letrën e Apostull Jakovit, jo të plotë etj.
Me të gjitha këto merresha kur isha në Malin e Shenjtë. Sapo jerondët e mi iknin dhe qëndroja vetëm në qeli, shkoja në “Shën Gjergj”, në kishëzën tonë dhe lexoja e psalja tropare pendimi e kanone nga Paraklitikia, Mujorët dhe nga të tjera, si edhe nga Libri i Orëve, Kanonin e Jisuit etj. Më pëlqente shumë të lexoja Dhiatën e Vjetër, Dhiatën e Re, Psaltirin, kanonet. Nuk ngopesha së lexuari me dashuri dhe i rilexoja me shumë etje e dëshirë. Por, do të më thotë dikush: “I dëgjoje përsëri dhe përsëri, vazhdimisht po të njëjtën gjë?!”. Po, kështu ishte, ishin të njëjtat gjëra. Lexomë edhe ti një kanon, të ma lexosh përsëri, ma lexo dhe unë e dëgjoj me etje. Sa më shumë të lexosh, aq më tepër nuk ndien të ngopur. Por kjo ka vlerë të madhe, të sjell në spiritualitet, të shenjtëron pa derdhur gjak.
Përktheu: A. Bendo