EmailFacebookKontakt

Mbi përgatitjen e kuadrove në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë

Forlumturi, të nderuar hierarkë, të dashur klerikë dhe pjesëmarrës të kësaj Asambleje.

Në këtë referat të shkurtër do të paraqes në mënyrë të përmbledhur përpjekjen dhe angazhimin personal të Kryepiskopit Anastas në përgatitjen dhe edukimin e brezit të ri të klerikëve dhe kuadrove të Kishës sonë, menjëherë pas ardhjes së tij si Ekzark Patriarkal e deri në ditët e sotme.

Me ardhjen Kryepiskopit Anastas më 16 korrik të vitit 1991, pas 7 muajsh pritjeje (janar 1991), gjendja e Kishës Orthodhokse në Shqipëri, siç edhe ishte e pritshme, ishte e mjerueshme, ashtu siç ishte në përgjithësi situata në vend. Kisha të shkatërruara apo të rrënuara nga keqpërdorimi gjatë regjimit komunist për qëllime të tjera. Asnjë nga hierarkia e lartë kishtare e episkopëve nuk jetonte më; vetëm një numër i vogël klerikësh, rreth 20, kishin mbijetuar, por dhe ata me gjithë angazhimin dhe dëshirën, ishin të kufizuar për shkak të moshës.

Një detyrë e madhe dhe titanike gjendej para Ekzarkut të sapombërritur, i cili u bë dëshmitar i vuajtjeve dhe persekutimit mizor të regjimit komunist ndaj Kishës, por dhe ndaj njerëzve në përgjithësi. Varfëria e madhe materiale dhe shpirtërore ishte e dukshme dhe e prekshme në çdo drejtim. Kisha dhe vendi gjendej në situatë të mjeruar, pavarësisht lirisë së besimit dhe të demokracisë që njerëzit kishin fituar.

Detyra kryesore ishte ringritja e strukturave të Kishës bashkë me ringritjen e objekteve të kultit dhe të infrastrukturës kishtare. Të dyja do të kërkonin një angazhim dhe sfidë të vazhdueshme, pasi burimet e brendshme ishin shumë të kufizuara dhe të pamjaftueshme.

Përgatitja e një brezi të ri punëtorësh në vreshtin e Zotit nuk ishte aspak angazhim i lehtë, por një gjë e tillë, duhej të niste pa humbur kohë, pasi nevojat ishin të mëdha dhe kudo. Kështu, brenda pak muajsh nga mbërritja e tij, Kryepiskopi Anastas përgatiti kushtet për fillimin e Seminarit hieratiko-teologjik në Durrës, më 7 shkurt të vitit 1992, duke marrë me qira dhe përdorur ambientet e një hoteli, ish-“kampi i punëtorëve”, buzë plazhit. Këtu do të krijoheshin mundësitë për përgatitjen e klerikëve dhe katekistëve të rinj të Kishës, pavarësisht sfidës së kushteve të vështira të mjediseve dhe shërbimeve sanitare, si dhe të mungesës së vazhdueshme të ngrohjes e ndriçimit.

Studentët erdhën nga gjithë Shqipëria. Kriteri i pranimit ishte mbarimi i shkollës së mesme, si dhe rekomandimi nga komuniteti orthodhoks prej nga vinin. 45 vetë përbënin atë që u quajt si viti i parë i Seminarit dhe që kishte gjatësi vetëm disa muaj, nga shkurti deri në fillim të qershorit. Pedagogët e seminarit ishin kryesisht misionarë të ardhur nga Greqia dhe SHBA, si dhe disa teologë vendas nga brezi i vjetër, të cilët qenë dhe bashkëpunëtorët e parë të Kryepiskopit Anastas. Mund të përmendim disa nga profesorët dhe pedagogët e parë: Fortlumturia e Tij, prof. dr. Anastasi, atë Ilia Ketri (sot Mitropoliti i Filomilisë), Arkimandriti Kristofor nga Athina, i ndjeri z. Teodor Papapavli, atë Nikodhimi, atë Martin Ritsi, hieromonak Ignati, atë Damaskinoi, atë Qiriako, i ndjeri z. Dhimitër Beduli, atë Parashqevai, atë Joan Pelushi (sot Mitropolit i Korçës) etj.

Programi mësimor zhvillohej rregullisht gjatë javës dhe ndërkohë kishin filluar dhe dorëzimet e para të studentëve në gradën e dhjakonisë e më pas të priftërisë. Gjatë fundjavave këta largoheshin për në zonat e tyre, ku edhe shërbenin njëkohësisht pranë kishave dhe komuniteteve të tyre. Ndërkohë, me përpjekjen e Kryepiskopit Anastas, disa prej studentëve iu dha mundësia nëpërmjet bursave të ndiqnin studimet e larta teologjike, kryesisht në Greqi.

Viti i dytë mësimor filloi më 5 tetor 1995 dhe shkolla do të funksiononte gradualisht me dy e më pas me tre vjet. Kështu, sipas të dhënave, rezulton se gjatë periudhës 7 shkurt 1992 deri në qershor 1997 kanë përfunduar sistemin 2-vjeçar 37 studentë dhe atë 3-vjeçar 64 studentë.

Më 19 nëntor 1994 Kryepiskopi Anastas përuroi fillimin e punimeve të Seminarit Teologjik “Ngjallja e Krishtit”, në kodrën e Shën Vlashit, bashkë me kishën e manastirit aty. Atje do të ndërtohej kompleksi multifunksional, ku brenda tij do të kishte edhe Seminarin. Më 5 tetor të vitit 1996 filloi funksionimin Akademia Teologjike në ambientet e reja të shkollës, të ndërtuara pranë Manastirit të Ri tashmë të Shën Vlashit dhe në datën 17 tetor nga Kryepiskopi u krye shërbesa e përurimit dhe bekimit të ambienteve.

Tashmë kushtet e studentëve në ambientet e Akademisë së re janë bashkëkohore, me ngrohje dhe ndriçim pa ndërprerje dhe me kushte optimale për zhvillimin e mësimeve dhe kryerjen e studimit. Tashmë Akademia ka bibliotekën e saj, që pasurohet vazhdimisht, si dhe sallën e studimit, duke e bërë atë një aset të rëndësishëm të studimeve akademike.

Një vit më vonë, më 1997, në shkollë do të pranohen rregullisht edhe vajza, dhe në vitin 2001 shkolla do të kalojë nga sistem 3-vjeçar në atë 4-vjeçar, duke iu dhënë mundësi më tepër studentëve për t’u përgatitur më mirë jo vetëm përvetësimin e njohurive teologjike e shoqërore, por dhe në përjetimin e jetës shpirtërore, ku shërbesat dhe adhurimi janë pjesë e përditshme e jetës së tyre. Deri në vitin 2019, 139 studentë përfunduan studimet me sistemin 4-vjeçar.

Lëndët e zhvilluara sipas programit janë: Predikim, Psikologji, dy gjuhë të huaja: anglisht dhe greqisht, Histori Kishtare, e Drejtë Kanonike, Dhiata e Re, Dogmatikë, Patrologji, Muzikë Bizantine, Etikë, Liturgjikë, Eklisiologji, Filozofi, Pimantikë, Informatikë, Fe të botës, Katekizëm, Dhiata e Vjetër etj. Gjithashtu, kohë pas kohe vijnë edhe pedagogë të ftuar, të cilët japin leksione të veçanta periodike.

Në prill 2018 Ministria e Arsimit miratoi hapjen e Programit të studimit Bachelor “Studime në Theologjinë Sociale dhe Shkencat Religjioze” në Kolegjin Universitar “Logos”. Nga vitet 2018 – 2022 në këtë program janë diplomuar 20 studentë. Krahas kësaj, Akademia Teologjike vazhdoi funksionimin me sistem trevjeçar.

Përmbledhje:

Nga 7 shkurti 1992 – 13 qershor 2019 numri total i studentëve që kanë ndjekur të plotë ose të pjesshëm studimet në Seminarin Teologjik dhe Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” është 474.

Numri i studentëve që kanë përfunduar me sukses programin e plotë të studimeve është 327. Nga këta studentë, 86 janë vajza dhe 241 janë djem.

Gjatë këtyre viteve Kryepiskopi Anastas ka kryer 160 dorëzime klerikësh.

Shkollat e mesme kishtare në Gjirokastër dhe Sukth

Shkolla e Gjirokastrës u hap në vitin 1998 dhe vazhdon të funksionojë.

Shkolla e Sukthit u hap në vitin 2007 deri në vitin 2018.

Të dyja këto shkolla të ciklit të mesëm u hapën për t’u dhënë mundësive nxënësve që, përkrah marrjes së diturive bazë të programit mësimor, të përjetonin më nga afër jetën shpirtërore kishtare dhe pasurinë e traditës orthodhokse. Atyre iu mundësohej bursë e plotë për studimin, ngrënien dhe fjetjen në ambientet e shkollës. Kjo sigurohej përmes pranisë së kujdestarëve dhe një pjese të mësuesve, të cilët ishin klerikë ose teologë, por dhe përmes shërbesave të përditshme që kryheshin në ambientet e shkollës. Gjithashtu, zhvilloheshin dhe disa orë në javë mësime kishtare, duke ju dhënë mundësi nxënësve të thellonin njohuritë e tyre mbi besimin orthodhoks dhe traditën e Kishës.

Duhet thënë që pavarësisht rezultateve të mira që këto shkolla arritën në kuadrin e rezultateve të notave dhe përgatitjes intelektuale të të rinjve, si dhe përjetimeve shpirtërore dhe rritjes së diturisë në besimin orthodhoks dhe mundësisë që të diplomuarit nga në to mund të regjistroheshin direkt në vitin e dytë të studimeve teologjike në Akademinë Teologjike, numri i tyre ka qenë i vogël në raport me ata që mbaruan studimet. Gjithashtu pak prej tyre më vonë zgjodhën të qëndrojnë në Kishë si kuadro të saj të angazhuar në katekizëm ose sektorë të tjerë të rëndësishëm apo dhe të ndiqnin thirrjen priftërore.

Ky fenomen ka qenë vazhdimisht shqetësim dhe në vëmendje të drejtuesve të shkollave, por dhe të organeve drejtuese të Kishës, por pa arritur të gjenden zgjidhje efikase. Megjithatë, duhet thënë me bindje se pjesa më e madhe e nxënësve që mbaruan këto shkolla kanë ruajtur kujtime të bukura nga koha dhe shoqëria e tyre, si me njërin-tjetrin ashtu edhe me drejtuesit e klerikët që u qëndruan pranë dhe një pjesë e tyre gjenden vazhdimisht në kisha dhe aktivitete të ndryshme kishtare, duke dhënë dëshmi të mirë të kudo që ndodhen, me moralin dhe virtytet e fituara në këto shkolla. Disa nga këta nxënës më pas ashtu si dhe disa nga ata që mbaruan studimet e larta teologjike, ndoqën studimet për artin e muzikës bizantine, për të cilën po japim disa të dhëna më poshtë:

Në vitet 1992-2012, mësimdhënia dhe kualifikimi i tyre u realizua përmes kurseve, Akademisë Teologjike, Liceve kishtare (Gjirokastër e Sukth) dhe përpjekjeve lokale nëpër mitropoli.

Në vitin 1998 u krijua kori bizantin i psaltëve “Shën Joan Kukuzeli”, nën drejtimin e atë Justin Anthimiadhit dhe, në 11 vitet e fundit, nën drejtimin e z. Theodhor Peci. Më 1 tetor 2012 u hap Shkolla së Muzikës Bizantine, e para në historinë e Kishës sonë, stacion kyç në kualifikimin profesional të psaltëve. Në të janë kualifikuar mbi 50 psaltë, një pjesë e të cilëve ushtrojnë funksionin e tyre në Tiranë, Korçë, Berat, Pogradec, Gjirokastër. Gjithashtu, u bë përshtatja, kompozimi dhe botimi i librave bazikë psaltikë, “Anastasimatari” dhe “Liturgjia Hyjnore” në dy vëllime dhe janë përgatitur për botim edhe të tjerë. Këto përbëjnë mjetet thelbësore në ushtrimin e përditshëm të punës së tyre.

Përgatitja e kuadrove të Kishës Orthodhokse në Shqipëri nuk ishte aspak një detyrë e lehtë, por koha tregoi se përkushtimi, urtësia, përvoja dhe lidhjet e njohjet me personat e duhur që Kryepiskopi Anastas kishte dhe i vuri në zbatim gjatë misionit të tij në Shqipëri, bënë të mundur realizimin e këtij misioni të vështirë, por të domosdoshëm në Shqipëri. Për këtë arsye, sot Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë është vërtet krenare për arritjet e saj dhe thellësisht mirënjohëse ndaj veprës titanike të Kryepiskopit Anastas, ku puna dhe rezultatet e angazhimit të tij do të mbeten të pashlyera nga kujtesa dhe vetëdija e Kishës sonë.

Në këtë 30-vjetor të Fronëzimit të Kryepiskopit Anastas, Kisha jonë shikon me besim dhe shpresë drejt së ardhmes së saj dhe sfidave që i duhet të përballet. Periudha të reja kërkojnë iniciativa të reja dhe energji të reja për t’u ballafaquar, por me hirin e Zotit dhe me bazat e forta të themeleve që janë hedhur, Kisha Orthodhokse në Shqipëri do të vazhdojë të japë dëshminë e saj të Zotit të Ngjallur dhe të lavdisë së Perëndisë, që pret të shfaqet ndër shenjtorët e Tij në ardhjen e Tij të dytë.

Amin.