EmailFacebookKontakt

Mbi dashurinë për armiqtë

Nga mësimet e Shën Siluanit

Ndërsa është e natyrshme dhe e zakonshme të duam ata që na duan dhe t’u bëjmë mirë atyre që na bëjnë mirë (Mt 5:46-47; Lluk 6:32-33), të duam armiqtë tanë është e papëlqyeshme për natyren tonë. Dikush mund të thotë se nuk është në fuqinë tonë, por është një qëndrim që s’mund të jetë veçse fryt i Hirit të dhënë prej Frymës së Shenjtë. Ja pse Shën Siluani Athoniti shkruan, “Shpirti që nuk e ka njohur Frymën e Shenjtë nuk mund ta kuptojë se si dikush mund të dojë armiqtë e tij dhe nuk e pranon këtë.”

Jerondi vazhdimisht thoshte se dashuria për armiqtë është e pamundur pa Hir: “Zot, Ti ke dhënë urdhëresën, që të duam armiqtë, por kjo gjë është e vështirë për ne mëkatarët, nëse Hiri Yt nuk është me ne”; “Ai, i Cili nuk i do armiqtë e tij, nuk zotëron Hirin e Perëndisë”. Në të kundërt, Shën Siluani gjithmonë mëson se ky qëndrim është një dhuratë e Frymës së Shenjtë: “Zoti na ka urdhëruar të duam armiqtë tanë dhe Fryma e Shenjtë na e zbulon këtë dashuri”; “Kur ti do t’i duash armiqtë e tu, dije se një Hir i madh Hyjnor do të jetojë në ty.”

Hiri i Frymës së Shenjtë i tregon atij që e zotëron atë, rrugën për të dashur armiqtë e tij. Por gjithashtu, i zbulon edhe themelin e kësaj dashurie: dashuria e Perëndisë për të gjithë njerëzit dhe dëshira e Tij për t’i shpëtuar ata: “Askush s’mund ta dijë nga vetja se çfarë është dashuria hyjnore, nëse Fryma e Shenjtë nuk e udhëzon atë, por, në Kishën tonë dashuria hyjnore njihet përmes Frymës së Shenjtë dhe për këtë arsye ne flasim për këtë.”

Jerondi Siluan këmbëngul, se, ngaqë dashuria për armiqtë është një fryt i Hirit, atëherë është esencialisht përmes lutjes që mund të fitohet. Shpesh herë ai na nxit t’i “kërkojmë Zotit me të gjithë qenien tonë të na japë forcën t’i duam të gjithë njerëzit.” Ai, gjithashtu, këshillon t’i lutemi Hyjlindëses dhe Shenjtorëve: “Nëse jemi të paaftë [për të dashur armiqtë tanë] dhe nëse jemi pa dashuri, le të kthehemi me lutje të flakta tek Zoti, tek më e Kulluara Nënë e Tij e tek të gjithë Shenjtorët dhe Zoti, Ai, dashuria e të Cilit për ne nuk njeh kufij do na ndihmojë me çdo gjë.” Jerondi rrëfen se vetë ai i lutet Perëndisë papushim për këtë: “Unë vazhdimisht i përgjërohem Zotit të më japë dashurinë për armiqtë… Ditën e natën unë i kërkoj Atij këtë dashuri. Zoti më jep lotë dhe unë qaj për të gjithë botën.” “Zot, mësona nëpërmjet Frymës Tënde të Tërëshenjtë të duam armiqtë tanë dhe të lutemi për ta me lotë në sy… Zot, sikurse Ti u lute për armiqtë e tu, mësona edhe ne, nëpërmjet Frymës së Shenjtë, t’i duam armiqtë tanë.”

Megjithatë, të fitosh hirin e dashurisë për armiqtë nënkupton kushte të tjera.

Dashuria për armiqtë është plotësisht e lidhur me dashurinë për Perëndinë: ne kemi parë se themeli kryesor i dashurisë për armiqtë është dashuria që Perëndia shfaq njëllojshmërisht për të gjithë krijesat e Tij dhe dashuria e Tij që të gjithë njerëzit të mund të shpëtohen dhe Krishti na dha një shembull të përsosur të një dashurie të tillë gjatë gjithë jetës së Tij tokësore. Dashuria për Perëndinë e prin njeriun të përmbushë vullnetin e Tij dhe ta imitojë Atë sa më tepër të jetë e mundur dhe po kështu të dojë armiqtë e tij. Jerondi gjithashtu vëren se ai i cili nuk do armiqtë e tij tregon se ai nuk ka mësuar prej Frymës së Shenjtë të dojë Perëndinë.

Të duash armiqtë e tu është e lidhur ngushtësisht me përulësinë. Jerondi shpesh i bashkon këto dy virtyte. Pothuajse të gjitha vështirësitë që hasim në përpjekjen për të dashur armikun tonë janë të lidhura me krenarinë: nga krenaria rrjedh fatkeqësia, që pason në fyerje, urrejtje, mëri, dëshirë për hakmarrje, përbuzje për të afërmin, refuzim për ta falur e për t’u pajtuar me të.

Krenaria përjashton dashurinë për armiqtë dhe dashuria për armiqtë përjashton krenarinë: “Nëse duam armiqtë tanë, krenaria nuk do ketë vend në shpirtin tonë.” Fakti që përulësia shkon krah për krah me dashurinë për armiqtë, provon praninë e Hirit dhe autenticitetin e dashurisë: “Përuleni veten e më pas Hiri do t’iu mësojë.” Nga ana tjetër “krenaria na bën ta humbim Hirin… Shpirti më pas mundohet nga mendimet e liga e s’kupton që duhet të përulë vetveten e të dojë armikun e tij, sepse këtë ai s’mund ta kënaqë Perëndinë.”

Jerondi disa here thekson, gjithashtu, rolin e luajtur nga pendimi në lidhje me përulësinë. “Shikoje veten si më të keqin e njerëzve,” këshillon ai. Ky është një qëndrim i një përulësie të madhe që në natyrën e tij nënkupton pendesën. Jerondi, gjithashtu na jep shembullin e një qëndrimi tjetër pendese – duke kërkuar faljen e Perëndisë çdo herë që nuk kemi dashur armikun tonë: “Nëse unë gjykoj dikë ose e shikoj atë me inat, lotët e mi thahen dhe unë bie në dëshpërim; dhe përsëri filloj t’i lutem Zotit të më falë dhe Zoti i gjithëmëshirshëm më fal, mua mëkatarin.” Sikurse mungesa e plotë e përdëllimit për armiqtë tregon praninë dhe veprimin e një fryme të ligë; pendesa e sinqertë është rruga e vetme për t’u çliruar nga ajo.

Këmbëngulja në lutje, përulësi dhe pendesë tregon se, megjithëse Shën Siluani njeh një rol përcaktues tek veprimi i Hirit në fitimin e dashurisë për armiqtë, ai nuk shpërfill rolin e luajtur nga përpjekjet që bën njeriu. Ja pse për këtë ai thotë, “Unë të përgjërohem, përpiqu,” dhe deklaron: “Në fillim detyroje zemrën tënde të dojë armiqtë e tu.” Përpjekjet që bën dikush duhet të shpallin vetveten në mënyrë të përgjithshme në një qëllim të drejtë dhe vullnet të mirë konstant, të shtrirë drejt plotësimit të urdhëresës së Perëndisë. Perëndia nuk do të mungojë për të t’u përgjigjur.