EmailFacebookKontakt

“Mbetëm të mahnitur nga zhvillimi i Kishës në Shqipëri”

Në 11 qershor, në të Dielën e Etërve të Sinodit të Parë Ekumenik, një përfaqësi e Konferencës Evropiane të Kishave vizitoi Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Njëri prej tyre, At Viorel Ionita nga Bukureshti i Rumanisë, bashkëmeshoi me klerikët tanë. Në fund të Liturgjisë Hyjnore, Fortlumturia e Tij Kryepiskopi Anastas, i prezantoi miqtë përpara besimtarëve:

– Kemi një gëzim të madh, sepse vëllezër nga vende të tjera janë me ne. Siç e keni vënë re, kemi pasur nderin e madh që të bashkëpunojmë me At Viorel Ionita nga Bukureshti, që është profesor në Akademinë Teologjike, së bashku me dy profesorë të tjerë nga Këshilli Evropian i Kishave. Ata janë këtu për të parë kushtet për zhvillimin e një seminari në muajin shtator, me temë: “Islamizmi në Evropë”.

Më pas foli At Ionita:

“Fortlumturi, të nderuar etër, të dashur vëllezër e motra më Krishtin. Ju sjellim përshëndetjet nga të gjithë të krishterët e kishave të Evropës. Unë jam nga kisha rumune, prof. Hans nga kisha e Reformuar hollandeze dhe prof. Frinkin përfaqësues i Kishës Katolike. Jemi këtu për të përfaqësuar 125 kishat e Konferencës Evropiane. Kemi ardhur për të parë kushtet për zhvillimin e një seminari në shtator. Delegacioni ynë vizitoi disa kisha, Akademinë Teologjike si dhe instanca të tjera të Kishës Orthodhokse. Të gjithë mbetëm të mahnitur nga zhvillimi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Kemi pasur një përvojë vërtet të përbashkët dhe besoj se nuk është e rastësishme që këtu kemi përjetuar me të vërtetë Ringjalljen e besimit në Zotin tonë Jisu Krisht dhe kjo ngjallje e Kishës në Shqipëri është meritë e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas.”

Më pas, Kryepiskopi i falenderoi ata për mbështetjen që i kanë bërë Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë gjatë këtyre viteve.