EmailFacebookKontakt

Mbaroi rikonstruksioni i Kishës së Shën Mihailit

Bubullimë
Mbaroi rikonstruksioni i Kishës së Shën Mihailit

Para disa ditësh na erdhi në redaksi dhiakon Gori Ndreko nga Bubullima. Në emër të të gjithë bashkëfshatarëve dhe besimtarëve të enorisë, ai donte që të shprehte nëpërmjet faqeve të gazetës falenderimin dhe mirënjohjen për Fortlumturinë e Tij, Kryepiskopin Anastas që siguroi fondet e nevojshme dhe Zyrën Teknike të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë që u kujdes për rindërtimin e kishës së fshatit.

Kisha e Shën Mihailit në Bubullimë, nisjen e saj e ka në vitin 1785, ndërsa në vitin 1927 iu bë një rindërtim themelor. Në vitin 1967 ajo u mbyll si gjithë kishat e tjera të vendit dhe më pas u kthye në depo, ndërsa ikonostasin me vlera e mori muzeu. Prift në atë kohë ishte Ikonom At Kristo Papa, i cili, pasi e detyruan të hiqte mjekrën, u mbyll në shtëpi dhe pas një viti ndërroi jetë.

Në vitin 1995, nën kujdesin e Zyrës Teknike të KOASH filloi restaurimi themelor, i cili u krye nga një firmë ndërtimi fierake dhe mbaroi sivjet. Kisha ka një sipërfaqe rreth 200 m2, me lartësi 10 m dhe lartësinë e këmbanares 17 m. Tani ajo hijeshon në qendrën e enorisë me 520 familje orthodhokse, nga të cilat 390 në fshatin Bubullimë.