Një eremit që jetonte si asket në shkretëtirën e Jordanit nuk ishte ngarë prej djallit prej shumë vitesh. Kjo i kishte dhënë atij guxim dhe thoshte shpesh se armiku nuk guxonte të vinte në ngasje njerëzit luftarakë, shkonte vetëm tek të ngathëtit dhe të pakujdesshmit.
Dikur djalli u shfaq para tij dhe iu ankua:
– Çfarë të kam bërë Avva dhe më denigron kështu? Mos të kam ngarë ndonjëherë?
– Larg prej meje, frymë djallëzore, thirri pa frikë eremiti dhe ngriti shkopin e tij për t’i rënë. Nuk ke të drejtë të shtiesh në ngasje shërbëtorët e Krishtit. Shko tek ata që të ftojnë me pakujdesinë e tyre.
– Pra kështu mendon? – tha djalli plot ligësi. Nuk do të gjej, rast thua për të të hedhur gjatë dyzet viteve që ke për të jetuar akoma?
I sigurt tani se karemi i tij e kishte bërë punën e vet, djalli u zhduk duke lënë në ajër një të qeshur rrënqethëse. Që nga ky çast filluan të ngatërrohen mendimet e eremitit.
– Dyzet vjet jetë akoma! Jashtëzakonisht shumë! – thoshte vazhdimisht. Dhe pas pak mendoi: Pse të mos shkoj të shoh për pak të afërmit e mi? Le t’i jap një çlodhje të shkurtër trupit tim të munduar. Dhe kur të kthehem vazhdoj ushtrimin. Kam kohë para meje. Dyzet vjet jetë!
Mori vendimin dhe një mëngjes u nis me shkop në dorë për në qytet.
Por Perëndisë njeridashës i erdhi keq për kaq shumë vjet mundimesh që kishte bërë dhe dërgoi engjëllin e tij që ta pengonte eremitin.
– Ku po shkon Avva? – e pyeti engjëlli duke i prerë rrugën.
– Në qytet, tha eremiti me nxitim.
– O njeri i bekuar, tani në fund të jetës tënde le dinakun të të mashtrojë? Nxito të kthehesh në kasollen tënde dhe qaj për mendjelehtësinë tënde përpara se të jetë shumë vonë për ty. I turpëruar për pësimin e tij eremiti u kthye dhe pas tre ditësh fjeti.
Marrë nga libri “Jerondikon”