EmailFacebookKontakt

Masakrimi i suljotëve të krishterë nga Ali Pasha

Janë shtuar shumë artikujt e komentet që e trajtojnë kthimin e shqiptarëve të krishterë si një proces paqësor, me dëshirën e tyre. Këto gënjeshtra përgënjeshtrohen nga historia, që nga shek. XIV e deri në fillimin e shek. XX. Këtu po japim një fragment nga libri i François Poqueville, konsull i Francës në Janinë, “Ali Tepelena”, shqipëruar nga Ardian Klosi.

…Tetë ditë me radhë nuk reshtën ekzekutimet; nën dritën e zjarreve që përpinin fshatrat e Seleidës shihje nga çdo anë vetëm trekëmbësha, hunj dhe tortura. Disa të krishterëve u derdhnin barut në vesh e pastaj u vinin zjarr. Mes gjëmave dhe zisë gratë ishin hedhur në honet e Akeronit; fëmijët ishin shitur në ankand dhe, ngase i dhjeti në radhë i shpëtonte ekzekutimit, e quanin të lumtur që u bë skllav… Si bëri këto orgjira të para krimi, veziri, i lodhur, po jo i ngopur me gjak, mori rrugën e Janinës i ndjekur nga mbeturinat e banorëve të Sulit që i hiqnin zvarrë si kurorë të ngadhnjimit të tij. Torturat që u bënë në festimet e shpallura me këtë rast, ishin kaq të shumëllojshme saç ishin edhe trillet e bazhibozukëve që i përdornin të krishterët si lodra; e megjithatë asnjë suljot, kur u pyet në çastet e dhimbjes dhe agonisë, nëse donte të ndërronte fenë për të shpëtuar kokën, nuk e mohoi vetveten. Mund të shikoje luftëtarë të shkuar në hunj që jepnin shpirt dalëngadalë me emrin e Tënëzot në gojë; një djalë të ri, të cilit ia kishin rrjepur lëkurën e kafkës, e detyruan me goditje kamxhiku të ecte nën dritaret e Veli pashës që lektisej duke parë se si i gufonte tjetrit gjaku nga arteriet. Qyteti ishte shndërruar në një cirk që zhauronte nga brohoritjet e egra të barbarëve përzier me rënkimet dhe klithmat e viktimave.

Po ja që Qielli i drejtë po u ruante të krishterëve një triumf të bujshëm; shfaqjeve në arenë u dha fund martirizimi i tre fëmijëve të njomë, me një bukuri magjepsëse. Nuk kam mundur t’i mësoj emrat e tyre që do t’ia kisha dhënë kujtesës së botës së krishterë. Më i moshuari nga këta tre të zgjedhur ishte katërmbëdhjetë vjeç; motra e tij njëmbëdhjetë. Ishte kjo që iu drejtua torturave duke mbajtur për dore një vëlla tjetër më të vogël se veten. Ua kishin shqyer rrobat e trupit!… Një hir qetësie i kishte mbuluar të tre, tek i lanë në dorë të një grupi dervishësh frenetikë që i qarkoi mes tij. Kur mbërritën nën hijen fatale të rrepeve te Kalo-Çezmeja, vendi i zakonshëm i ekzekutimeve, virgjëresha e vogël ra përdhe dhe shtriu duart drejt Qiellit. Pa t’i rrokullisej ndër këmbë koka e vëllait të vogël; e ndërsa më i madhi përpiqej të shpëtonte nga kthetrat e një ariu, të cilit ia kishin hedhur për sillë, nga goja e saj u dëgjuan këto fjalë trallisëse: Atë mëshirëmadh, Zot zemërbardhë, Zot i të dobtëve, Zonjë e shenjtë me kurorë, ki mëshirë për vëllezërit e mi; Krisht i adhuruar, ndihu fëmijëve të tu të shkretë!… Sapo u thanë këto fjalë, një xhelat goditi viktimën e panjollë. Trëndafili i Seleidës ra në prehër të tokës dhe koret e engjëjve morën në krah shpirtrat e atyre krijesave të ëmbla që prehen në gjirin e Hyut.

Kjo therori i ngriu në lakhtar muhamedanët, vrasësit dhe satrapin, që dha urdhër të shpërndahen mbeturinat e familjeve suljote në fshatra të ndryshme, ku shumëkush jeton edhe sot me shpresën se një ditë do ta shohë të rilindë nga shkrumbi dhe nga gërmadhat atdheun e vet.