Nga shenjtorët e muajit
Martirët Viktor dhe Stefanidha
(11 nëntor)
Viktori ishte një besimtar Italian, tepër i ditur dhe i ndriçuar nga Perëndia, ushtar në kohën e Perandorit Anton (138-161). Dikur u transferua në Damask, ku edhe e denoncuan si të krishterë. Meqenëse nuk ia ndërrouan dot besimin, i thyen gishtat; e hodhën në një furrë të ndezur dhe e lanë aty për tri ditë, por atij nuk iu dogj asnjë qime. I dhanë helme të një magjistari, i cili duke e parë se nuk u prek, kaloi edhe ai në shprestari, duke braktisur zanatin e tij demoniak, si dhe dogji librat e veta të rreme. Pastaj i prenë nervat, por ai i vuante dhimbjet e padurueshme me gëzim, madje tentonte të këshillonte qeveritarin, i cili egërsohej sa konstatonte, se me gjithë mundimet, Viktori mbetej i paëpur dhe shpesh i paprekur. Pasi i prenë nervat, më pas nuk ndjente më dhimbje. Në vazhdim i hodhën vaj të zier në pjesët e fshehta të trupit, e varën dhe e digjnin me llambadha, i derdhën në plagë dhe në hiring gëlqere me uthull, i nxorrën sytë. Pastaj e varën kokë poshtë per tri ditë. Xhelatët u verbuan, por shenjti i verbër i shëroi. Dhe ndërsa po e rripnin të gjallë, u dëgjua një zë gruaje që e lumuronte dhe e lavdëronte. Dhe kështu u kap edhe e krishtera 16 vjeçare Stefanidha, që ishte e veja e një ushtari. E mrekulluar nga durueshmëria e tij, ajo kishte vendosur të ushtrohej. Tirani e ftoi që ta tërhiqte çka kishte thënë, përndryshe mjerë ajo! Por Stefanidha nuk pranoi, kështu që përkulën majat e dy palmave, e lidhën në to kryqaz, dhe i lëshuan menjëherë. Trupi i saj u coptua tmerësisht, ndërsa shpirti fluturoi në hapësirën e Qiellit… I turpëruar gjakaktari vendosi po atë ditë (11 nëntor), që t’i prisnin kokën Viktorit (=fitimtar), sepse torturat nuk sillnin më dobi.
Heroi paratha ndëshkimin e drejtë të tortururesve, si dhe për transferimin e lipsanit të tij nga të afërmit pas tri ditëve për në atdheun e tij. Pastaj u lut për të mirën e njerëzve, u gjunjëzua dhe iu pre koka. Atëherë doli gjak i përzier me qumësht, kështu që besuan dhe shumë të tjerë.
Sipas thënieve të tjera ai u ushtrua në Itali.