EmailFacebookKontakt

Martirët Pavli dhe Juliania

Qenë fëmijë prej prindërve të krishterë nga Ptolemaida. Në atë kohë kishte shumë qytete me këtë emër, kështu që s’është e sigurt për cilin është fjala; ndoshta është qyteti që ndodhej në brigjet e Palestinës. Pavli, si anagnost i kishës, u lexonte besimtarëve Ungjillin e shtrenjtë për të dhe u mbyllte gojën me mjeshtëri idhujtarëve. Në kohën e perandorit romak Aurelian (270-275), Pavli nxiti në rrugën e krishtërimit edhe të motrën, Julianian.

Ndërsa Pavli bënte kryqin, e panë dhe e denoncuan. Para monarkut ai u shpreh me forcë për kotësinë e idhujve dhe për këtë e torturuan. Juliania protestoi kundër padrejtësisë që i bëhej vëllait, ndaj e kapin dhe torturojnë edhe atë. Më pas të dy i burgosin dhe më vonë i hedhin në një furrë me zift që ziente, i shtrijnë në një shtrat të skuqur me zjarr dhe i rrahin. Xhelatëve të tyre Kodrati dhe Akaki u erdhi keq, madje besuan edhe ata te Krishti dhe për këtë iu pre koka.

Motër e vëlla riburgosen të lidhur me hekura, por u zgjidhën prej një engjëlli dhe morën ushqim. Meqënëse edhe pas kësaj nuk iu zbeh dashuria për Perëndinjeriun, u varën përsëri dhe u rrahën në mënyrë rrënqethëse. Xhelatit, Stratonikut, i erdhi keq për shenjtoren, e cila e nxiste t’i bindej mbretit dhe t’ia zbatonte urdhërat. Edhe ai pranoi Krishtin, ndaj i prenë kokën. Pastaj vëllezërit i mbyllën bashkë me zvarranikë helmues, por ata nuk i prekën. I goditën tek nofullat me sfera plumbi dhe në trup me thupra të skuqura. Për ta poshtëruar vajzën e futën në shtëpi publike, po një engjëll verboi me pluhur kandidatët për të shkuar me të. Juliania zemërmadhe u hodhi ujë e i shëroi. E paprekur prej tyre, bashkë me Pavlin i hodhën në një gropë me zjarr. Do t’i qëllonin me gurë, në qoftë se një re nuk do të lëshonte flakë mbi tiranin, i cili u frikësua dhe i nxori që andej! Megjithatë ai i dogji në fytyrë e në trup me llambadhë dhe u preu trupin copë-copë. Kujtohen me 17 gusht, ndërsa më 4 mars kremtohen së bashku me martirët ish xhelatë, Kodratin, Akakin e Stratonikun.