EmailFacebookKontakt

Martirët Laurenti, Ksisti, Ipoliti (10 gusht)

Filozofit athinas dhe episkopit të Romës Ksistit (ose Siksti) i Dytë (257 – 258), pasuesi i shën Stefanit të Romës (3 gusht), iu pre koka në kohën e Valerianit (253 – 259), pasi nuk e mohoi Krishtin.

Më përpara, kur po niste përndjekja, i kishte dhënë urdhër kryedhjakonit të tij Laurentit, të kujdesej për enët e shenjta të Kishës. Ky i fundit i shet për hir të të varfërve, dhe kur perandori e urdhëroi që t’i sjellë paratë, shenjti i solli të stivosur në karroca të varfrit dhe sakatët që iu kishte bërë mirë! Valeriani u inatos dhe urdhëroi që të kamxhikohej. Në burg bëri shërime çudibërëse, gjë që tërhoqi në besim tribunin Kalinik. Laurenti u çua përsëri tek mbreti, por nuk pranoi t’u sakrifikonte idhujve. Mbaroi pra, më 10 gusht 258 – katër ditë pas vdekjes së papa Ksistit – mbi një skarë të skuqur, për shkak të zjarrit që digjej poshtë.

Lipsanin e shenjtë e varrosi Ipoliti, që për këtë iu nënshtrua kamxhikimit me zinxhirë me gjemba dhe së fundi, dorëzoi frymën i tërhequr njëkohësisht nga disa kuaj të egër.