EmailFacebookKontakt

Martirët Krisanth dhe Daria (19 mars)

U ushtruan në Romë në kohën e Perandorit Numerian (283 – 284). Krisanthi, bir i senatorit nga Aleksandria Polemon, u bashkua me Zotin, të Cilin më pas ua predikonte idhujtarëve. Për këtë i ati e burgosi duke i vënë paralelisht edhe dënimin me uri. Duke mos mundur të mposhtte luftëtarin e paepur, i ati sajoi me mendje diçka dhe i dha për grua një intelektuale të paraqitshme nga Athina, me emrin Daria, që disa thonë se ishte priftëreshë e hyjneshës Athina. Por, në vend që i riu të kalonte drejt idhujtarisë, siç priste senatori, e reja u tërhoq drejt Krishterimit! Duke mbetur sipas marrëveshjes të virgjër, predikonin me zell besimin e vërtetë. Ai i arrestoi dhe tribun Klaudi mori përsipër “që t’i sillte në vete”. Trimëria e tyre në torturat, si p.sh. goditje me shkopinj me gjemba dhe më pas shërimi i plotë i tyre me anën e mrekullisë, ktheu në të krishterë vetë Klaudin, të shoqen Ilaria, fëmijët e tij Jason dhe Mauro, si dhe ushtarët e tij! Tribunin e hodhën në det pasi i lidhën në qafë një gur. Martirëve të tjerë iu prenë kokën dhe vetëm Ilaria dha shpirt duke u lutur, ndërsa do ta çonin në bankën e gjyqit (të gjithë kremtohen në të njëjtën ditë). Si përfundim, çifti i shenjtë Krisanth dhe Daria u varosën të gjallë në një batak.