Qëllimi i Familjes së krishterë
Familja, siç dihet nga të gjithë, përbën bërthamën themelore të shoqërisë. Kështu, në Kishën militante të Krishtit është një njësi bazë e trupit të Kishës. Prandaj, në shkrimet e Apostujve familja e krishterë është quajtur në vetvete një “Kishë”. “Përshëndet Prishilën dhe Akuilën, bashkëpunëtorët e mi në Jisu Krishtin….si dhe kishës që është në shtëpinë e tyre (Rom. 16:3,5); “Përshëndetni Nimfen edhe Kishën që është në shtëpi t’ati” (Kol. 4:15). Nga këto kuptohet se çfarë kujdesi i madh i duhet dhënë familjes nga pikëpamja e Kishës, kështu që familja të përmbushë qëllimin e të qënurit një “kishë” e vogël, siç shprehet Shën Joan Gojarti.
Gjithashtu, është edhe një rrugë tjetër jete personale, e cila është e bekuar në kristianizmin: virgjëria ose celibati. Celibati për hir të Krishtit ka krijuar një lloj tjetër të njësisë sociale të krishterë: murgërinë. Kisha e vendos atë mbi jetën e martuar dhe me të vërtetë ka qenë në historinë e Kishës një element drejtues dhe udhëheqës, një mbështjeje e saj në realizimin e shkallëve më të larta të ligjit moral të Ungjillit.
Por, jo të gjithë mund të marrin mbi vete benë e virgjërisë në emër të Krishtit dhe të Kishës. Prandaj, Kisha e bekon gjithashtu jetën martesore, për hir të atyre qëllimeve të larta dhe të vështira që janë vënë para familjes së krishterë, dhe ky bekim është njohur si Mister.
Shkrimi i Shenjtë dhe historia njerëzore fillon dhe mbaron me një martesë: Adami me Evën bashkohen në martesë, në Parajsë, para Rënies, duke e treguar martesën si një pjesë e planit të përjetshëm të Perëndisë për njerëzimin në mes të krijimit (Gjenez. 2:22-25). Historia mbyllet me martesën e Nuses me Qengjin (Zbul.19:7-9), martesa tokësore e përmbushur në qiell, duke treguar natyrën e përjetshëm të misterit.
“Prandaj, njeriu do e lerë atin dhe nënën e tij, dhe do bashkohet me gruan e tij, edhe do të jenë të dy një mish. Ky është një mister i madh, po flas në lidhje me Krishtin dhe Kishën”. (Efes. 5:25, 31-32)
Martesa si Institucion Hyjnor
Që martesa ka bekimin e Zotit, kjo thuhet shumë herë në Shkrimin e Shenjtë. Në Gjenezën (1:27-28), shkruhet: “Kështu Perëndia e krijoi njeriun simbas të shëmbëllimit të tij, simbas shëmbëllimit të Perëndisë e krijoi atë; mashkull dhe femër i krijoi ata. Dhe Perëndia i bekoi dhe iu tha: shtohuni e shumëzohuni e mbushni dheun”.
Shpëtimtari vetë, duke komanduar që besnikëria duhet të ruhet në martesë dhe duke ndaluar divorcin, përmend fjalët e librit të Gjenezës 2:24 “Prandaj njeriu do të lerë atin dhe nënën edhe do të bashkohet me gruan e tij, dhe të dy do të jenë një mish”, pastaj shton “Atë pra që Perëndia e bashkoi njeriu të mos e ndajë.” Këto fjalë të Zotit e tregojnë qartë dinjitetin moral të martesës. Zoti Jisu Krisht e shenjtëroi martesën me anë të Pranisë së tij në Kana të Galilesë, ku dhe kreu mrekullinë e tij të parë.
Apostull Pavli e krahason karakterin mistik të Kishës me martesën: “Ju burrat doni gratë tuaja, sikundër edhe Krishti deshi Kishën dhe dha veten e tij për atë”, – dhe më tej thotë: “Martesa nuk është thjesht një rregullim social dhe civil. Ajo në kishë kryhet në praninë e Perëndisë, para altarit të tij të shenjtë. Eshtë një martesë e “shenjtë”, një mister. Kështu që të krishterët orthodhoksë që nuk janë të martuar në Kishë, duhet ta shenjtërojnë bashkimin e tyre në Krishtin, nëpërmjet Misterit të Martesës në Kishën Orthodhokse. Ndryshe, ata nuk janë në rregull me Kishën e tyre dhe nuk mund të marrin Kungatën e Shenjtë dhe Misteret e tjera të Kishës. Një orthodhoks i devotshëm nuk mund ta përjashtojë Krishtin nga një pjesë kaq e rëndësishme e jetës, siç është martesa. “Nëse Zoti nuk e ndërton shtëpinë, ata që ndërtojnë, mundohen më kot”, thotë Psalmisti.
Në Kishën e vjetër martesa shihej si një mister. Tertuliani, duke shkruar në shek. II, na thotë që një çift i krishterë, që dëshiron të martohet, mbasi merr një çertifikatë civile, vjen në Kishë të Dielën për të marrë Kungimin dhe bekimin e episkopit apo të priftit. Kështu që marrëveshja civile bëhet një mister. Mbas bekimit, emrat e tyre – na thotë Tertuliani – “shkruhen në qiell”, dhe jo në “regjistrin” qeveritar. Shën Ignati (100) thotë: “Ata që duan të martohen duhet të bashkohen me dijn e episkopit, kështu që martesa të bëhet sipas Zotit dhe jo nga dëshira njerëzore”.
Fakti që martesa me Kishën e shekujve të parë kryhej (siç sot Dorëzimet) gjatë Meshës, tregon kuptimin e lartë dhe të thellë të martesës së krishterë. Martesa në Kishën Orthodhokse nuk është thjesht një marrëveshje midis një burri dhe gruaje për të jetuar bashkë, as “kryhet” nga çifti vetë me klerikun dhe bashkësinë si dëshmitarë. Bashkimi i tyre – bazuar në vullnetin e lirë – bëhet një Mister, sepse ata bashkohen si të krishterë orthodhoksë, të cilët janë anëtarë të Komunitetit Eukaristik, duke ndarë së bashku Trupin dhe Gjakun e Krishtit dhe duke marrë hirin e Perëndisë, për bashkimin e tyre me anë të pjesëmarrjes së tërë Kishës në personin e peshkopit apo priftit dhe në praninë e popullit të Perëndisë.
Divorci
Kisha vetëm në raste të jashtëzakonshme e njeh prishjen e martesës, vetëm kur ajo ndyhet nga kurvëria, ose prishet nga shkaqet e jetesës (p.sh. largimi pa fjalë i njërit nga bashkëshortët). Martesa e dytë mbas vdekjes së njërit lejohet nga Kisha, por në lutjet për ata që martohen për së dyti, kërkohet falja për mëkatin e martesës së dytë. Ai që martohet dy herë nuk mund të dorëzohet prift. Edhe një martesë e tretë tolerohet, por vetëm si një e keqe më e vogël, për të shmangur një të keqe më të madhe – një jetë të imorale, siç e shpjegon Shën Vasili i Madh.
CEREMONIA
Ceremonia e martesës në Kishën Orthodhokse është e pasur në ritual dhe në simbolizëm. Çdo akt ka kuptimin e veçantë. Ajo përbëhet nga dy shërbesa, atë të fejesës dhe atë të kurorëzimit, të bashkuara në një.
Unazat
Ato bekohen nga prifti, i cili i merr në duart e tij dhe duke bërë kryqin mbi to thotë: “Shërbëtori i Perëndisë… fejohet me shërbëtoren e Perëndisë… në emër të Atit Birit dhe Shpirtit të Shenjtë”. Pastaj kumbari ua shkëmben unazat tri herë. Unazat janë simbol i fejesës prej kohësh shumë të lashta. Shkëmbimi do të thotë që në jetën martesore dobësia e njërit do të kompesohet nga forca e tjetrit, papërsosmëria e njërit nga përsosmëria e tjetrit. Nga vetvetja, të porsatëfejuarit janë të paplotësuar; së bashku ata plotësohen. Kështu shkëmbimi tregon që bashkarisht do të plotësojnë vazhdimisht njëri-tjetrin. Secili do të pasurohet nga bashkimi.
Qirinjtë
Shërbesa e kurorëzimit fillon përnjëherë mbas asaj të Fejesës. Dhëndri dhe nusja gjatë tërë shërbesës mbajnë qirinj. Qirijtë janë si llambadhat e pesë virgjëreshave të mençura të Ungjillit, të cilat, ngaqë kishin mjaft vaj, mundën ta pritnin Dhëndrin, Krishtin, kur erdhi në mes të natës. Qirinjtë simbolizojnë dëshirën shpirtërore të çiftit për të pritur Krishtin, i cili i bekon ata nëpërmjet këtij misteri.
Bashkimi i Duarve
Dora e djathtë e nuses dhe dhëndërit janë të bashkuara kur prifti lexon lutjen që i kërkon Perëndisë të “bashkojë këta shërbëtorët e tu, bashkoj ata në një mendje dhe një mish”. Duart e bashkuara që mbahen gjatë tërë shërbesës simbolizojnë “bërjen një” të çiftit.
Kurorëzimi
Pjesa kryesore e ritit të Misterit të Martesës është vendosja e kurorave në kokat e dhëndrit dhe nuses me fjalët “shërbëtori i Perëndisë (aksh) vë kurorë me shërbëtoren e Perëndisë (aksh), në emërin e Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë. Amin.” Kurorat janë shenja të lavdisë dhe nderimit me të cilat Perëndia kurorëzon çiftin gjatë misterit. Dhëndri dhe nusja kurorëzohen si mbreti dhe mbretëresha e mbretërisë së tyre të vogël, shtëpisë, në të cilën ata do të mbretërojnë me drejtësi, diturim integritet dhe dashuri. Disa e interpretojnë përdorimin e kurorave në ceremoninë orthodhokse të martesës si referim tek kurorat e martirëve, ngaqë çdo martesë e vërtetë përfshin vetë sakrifikime të pallogaritshme nga të dy anët. Në proçesionin këndohet një tropar për martirët e shenjtë, ku përmendet kurorëzimi i tyre.
Kupa e Përbashkët
Mbas kurorëzimit lexohet Apostulli dhe Ungjilli. Pjesa e Ungjillit është martesa në Kana të Galilesë, të cilën Krishti e bekoi me pjesëmarrjen e tij. Atje ai ktheu ujin në verë dhe ju dha nga ajo të porsamartuarave. Në kujtim të këtij bekimi, i jepet verë çiftit. Kjo është “kupa e përbashkët” e jetës, që tregon ndarjen reciproke të gëzimit dhe hidhërimit, modeli i një jete në harmoni. Pirja e verës nga kjo kupë e përbashkët i tregon çiftit që prej këtij momenti ata do pjesëtojnë sëbashku gjithçka në jetë, gëzimet e hidhërimet, dhe do mbajnë “barën e njëri-tjetrit”. Kupa e përbashkët është një mbetje e Kungatës. Në kishën e vjetër çifti e merrte kungatën pikërisht në këtë pikë. Kungata ishte vula e martesës. Sot çifti e merr kungatën të dielën para martesës.
Procesioni
Prifti i prin dhëndrit dhe nuses në një procesion rreth tavolinës ku është vendosur Ungjilli dhe Kryqi, njëri që përmban fjalën e Perëndisë, tjetri simbol i shpëtimit tonë me anë të Jisuit. Çifti po bën hapat e para si të martuar, dhe Kisha në personin e priftit, i udhëheq në rrugën që duhet ecur. Procesioni është rruga e jetës së krishterë, është një orbitë e përsosur rreth qendrës së jetës, Jisu Krishtit, Zotit tonë. Gjatë procesionit, këndohet një himn për martirët e shenjtë, duke i kujtuar të porsamartuarit për dashurinë dhe sakrificat që duhet të kenë e të bëjnë për njëri-tjetrin. Fillimisht, ky ishte një procesion për në shtëpinë e çiftit, ku prifti iu hiqte kurorat me një lutje të veçantë.
Bekimi
Pastaj prifti e bekon dhëndrin, duke e krahasuar me Abrahamin, Isakun, Jakovin dhe nusen me Sarën, Rebekën dhe Rakelën; duke i treguar çiftit që martesa bekohet nga Perëndia, i cili është i vetmi që jep hir, paqe e shëndet dhe është Perëndia, që gjatë gjithë historisë njerëzore, ka madhëruar, bekuar dhe shenjtëruar martesën.
At Joan Pelushi