Në gazetat e fillimit të majit, u mësua rastësisht, se në listat e objekteve që nxirreshin për shitje, ishte edhe një lajmërim i AKP Elbasan: Në datën 1 qershor do të shiteshin me ankand të hapur objekte të Manastirit të Shën Jon (Joan) Vladimirit!… Po, si u arrit deri këtu?
Fshihet origjina e objekteve
Ka një vendim të Gjykatës së Elbasanit, me nr. 2896, të 11 nëntorit 1996, që i njeh Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë pronësinë mbi disa objekte të këtij Manastiri – Monument Kulture (ai u kthye në repart ushtarak në vitet e komunizmit dhe shumë objekteve iu ndryshua destinacioni). Kështu, Kishës i ktheheshin dhomat e kallogjerëve, të transformuara në fjetinë ushtarësh; dhomat e igumenit dhe mysafirëve, të bëra truproje, si dhe ajo që kishte mbetur nga kambanorja.
Ndërsa vendimi i ankandit flet vetëm për “Fjetinë dhe truprojë, në Shijon, Elbasan”. Injorohet kështu, origjina e vërtetë e ndërtesave. Kjo, ndërsa, si në AKP të Ministrisë së Mbrojtjes, në atë qendrore dhe në të Elbasanit e dinin shumë mirë se ato ishin objekte të Manastirit, pasi ekziston një praktikë dhe korrespodencë zyrtare 9-vjeçare. Për më shumë, duke qenë Monument Kulture i kategorisë I, kriteret ligjore për ruajtjen e administrimin e tij s’e lejonin një trajtim të tillë.
Komisioni i pronave vonon qëllimisht dosjen e Manastirit
Edhe kjo ka ndikuar në majisjen e problemit. Në një shkresë të datës 22 maj 2000, në pragtë ankandit, lëshuar nga Komisioni i Pronave të Elbasanit në Këshillin e Rrethit, vërtetohet, se dosja për Manastirin e depozituar në datën 23.10.1996, me numër 83, është e rregullt dhe e plotë dhe për të “nuk është marrë asnjë vendim”….
Vonesa e shqyrtimit të saj nuk është e rastësishme. Ajo u depozitua në kohën kur kryetar i këtij komisioni ishte Eduart Kila, sot kryetar i Këshillit të Rrethit. Eshtë po ky njeri që ndihmoi N. Marku, që me një dosje mjaft të mëvonshme (dy vjet më pas), të merrte në mënyrë të paligjshme pronën e Kishës dhe sot lufton me të gjitha mënyrat që Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë të mos marrë atë çka është e saj.
Megjithatë, Manastiri u shit se u shit…
Por, me gjithë protestat, ndërhyrjen në kohë dhe procesin e hapur gjyqësor, objektet e kompleksit monumental të Manastirit u shitën.
Ankandi u zhvillua dhe Kisha jonë u detyrua të blinte atë që ishte pronë e saj. Shteti nuk mbrojti në këtë rast as komunitetin tonë orthodhoks, as monumentet, që vetë ai i mbron me ligj. Megjithatë, një falenderim u takon atyre, që protestuan me forcë në instancat përkatëse dhe u përpoqën ta ndalonin këtë ankand skandaloz si Ministria e Kulturës dhe gazeta “Republika”, e cila u përpoq të sensibilizonte opinionin publik për këtë nëpërkëmbje të vlerave kombëtare.
Por, të lind pyetja: Ata që nxorrën në shitje pronat e Kishës, vërtet dëshironin që t’i marrin ato? Eshtë e qartë, se askush nuk do mund të ndërtonte dot ndonjë qebaptore a motel në mjediset e Manastirit. Skema është mjaft e thjeshtë dhe korruptive: Do të blihej objekti “për një copë bukë”, për t’ia ofruar më pas për shitje Kishës, por tashmë me shumëfishin e vlerës…
Pra, siç shihet absurdi po arrin kulmin dhe nuk dihet se deri ku do ndalet. Vetëm se një gjë duket açik: Ato që regjimi komunist ia mori Kishës, po shiten e shpërdorohen në pluralizëm, me një papërgjegjshmëri ekzemplare.