EmailFacebookKontakt

Manastiri “Shën Ekaterina” i Sinait

Manastiri “Shën Ekaterina” i Sinait është një qëndër ku jeta monastike orthodhokse është zhvilluar në mënyrë të pandërprerë që nga shekulli VI. Prej 1400 vjetësh ky manastir qëndron në këmbë në zemër të shkretëtirës së Sinait, duke ruajtur karakteristikat e veta që nga ndërtimi i tij, në kohën e Perandorit Justinian (525-565). Duke filluar nga Mohamedi, themeluesi i Islamit, nga Kalifet myslimanë, sulltanët otomanë dhe deri tek Napoleon Bonaparti, që të gjithë e morën Manastirin nën mbrojtjen e tyre, duke e ruajtur nga plaçkitjet. Gjatë historisë së tij shumëshekullore ky manastir nuk u pushtua kurrë, nuk u dëmtua dhe as u shkatërrua. Gjatë tërë periudhave historike ai ruajti të pacënuar imazhin e njërit prej vendeve të shenjta të Biblës, duke hedhur dritën e vet mbi ngjarjet e Testamentit të Vjetër dhe vazhdimësinë e adhurimit të Virgjëreshës Mari dhe të Zotit tonë Iisu Krisht.

Trashëgimia shpirtërore

Në moshën 40 vjeç Moisiu u arratis nga Egjipti dhe shkoi drejt Malit Horeb, ku ai gjeti pranë një pusi, me tufat e tyre të bagëtive, 7 vajzat e priftit Jethro. Ky pus gjendet sot brenda mureve të manastirit, në pjesën veriore të Kishës. Para se të martohej me një nga vajzat e Jethros, Moisiu jetoi 40 vjet në shtëpinë e vjehrit duke u kujdesur për bagëtinë e tij dhe duke pastruar shpirtin e tij në qetësinë dhe vetminë e shkretëtirës të Sinait. Pikërisht atje Zoti iu zbulua atij te kaçubet e zjarrta dhe i dha urdhër të kthehej në Egjypt dhe të sillte bijtë e Izraelit deri te Mali i Sinait 1300 vjet para Krishtit, duke kaluar nga robëria e Egjyptit për në tokën e Premtuar të Kanaanit. Pesëdhjetë ditë nga nisja e tyre nga Egjypti, hebrenjtë mbërritën te Mali Horeb, ku morrën Ligjin e Zotit, mbi bazën e të cilit u kërkohej të organizonin jetën e tyre fetare dhe shoqërore. Gjashtë qind vjet më vonë, një tjetër profet i madh, Ilia, jetoi në këtë shkretëtirë duke ikur larg zemërimit të mbretëreshës Izabela. Një shpellë në kishëzën e Malit të Moisiut i kushtohet atij, si vendi tradicional ku ai banoi dhe foli me Zotin (Mbret. 19,15).

Fillimet e Monahismit

Etja për të adhuruar Perëndinë dhe nevoja për t’iu shmangur persekutimeve të Romës pagane, sollën në Sinai disa nga të krishterët e parë, në kërkim të qetësisë, të vetmisë dhe të shenjtërimit të vetvehtes. Duke filluar nga shekulli III pas Krishtit, disa murgj krijuan komunitete të vegjël në afërsi të vendëve të shenjta rreth Malit Horeb: në vendin e kaçubeve të zjarrta, në oazin e Firanit dhe në vende të tjera të shkretëtirës së Sinait (Vendet e këtyre trojeve të shenjta janë ruajtur besnikërisht në kujtesën e banorëve vendas gjatë shekujve). Murgjit e parë patën vazhdimisht mungesa. Natyra s’ishte mikpritëse për njerëzit dhe disa prej tyre ranë viktima të nomadëve hajdutë. Por, megjithatë, murgjit vazhduan të vinin, ndonëse në numër të vogël. Të parët qenë eremitët, që jetonin fillikat nëpër shpella dhe në varfërinë më të madhe duke u kujdesur vetë për plotësimin e nevojave vetiake dhe duke u falur në vetmi, me përjashtim të ditëve të shenjta kur mblidheshin rreth Kaçubeve të zjarrta për të dëgjuar udhëheqësin e tyre spiritual dhe për t’u kunguar. Për shkak të jetës së tyre plot shenjtërim, eremitët ishin misionarët e parë në gjirin e tribuve arabe të Sinait. Në periudhën e pushtimeve arabe të shekullit VII, pjesa më e madhe e banorëve të Sinait kishin përqafuar kristianizmin.

Në vitin 313, në kohën e sundimit të Konstandinit të Madh, krishterimi u njoh fe zyrtare në tërë perandorinë. Në fakt Konstandini dhe pjesa më e madhe e perandorëve bizantinë pasardhës e favorizuan monakizmin, që kish nisur të përhapej në Vendet e Shenjta. Në këtë atmosferë, duke lënë pas persekutimet e egra, monakizmi mori një zhvillim të ri. Murgjit e Sinait kërkuan nga nëna e Konstandinit, perandoresha Elena, që t’i merrte në patronazh. Në vitin 330 Elena ndërtoi një kishëz kushtuar Nënës se Zotit dhe një kullë në vendin e Kaçubeve të zjarrta, për të shërbyer si strehim për murgjit e shkretëtirës. Pelegrinë të fundit të shekullit IV-të informojnë se në atë kohë kishte në Sinai një komunitet të lulëzuar murgjish. Midis tyre i famshëm ishte një oficer i vjetër i gardës perandorake në Konstandinopol, Shën Nili, shkrimet e të cilit studiohen sot nga priftërinj, murgj dhe besimtarë laikë.

Manastiri nën mbrojtjen e perandorëve bizantine

Kthesa e vërtetë në historinë e monahizmit Sinaitik bëhet në shekullin VI-të, atëhere kur perandori Justinian (525-565) dha urdhër të ndërtohej manastiri i rrethuar nga një murr të lartë (duke përfshirë brenda ndërtimet e mëparshme dhe ngritjen e një Kishe madhështore që ekziston edhe sot). Perandori Justinian la aty edhe një garnizon të vogël ushtarësh për mbrojtjen e murgjve. Një mbishkrim në gjuhën greke, që mund të shihet edhe sot e gdhendur mbi një tra në tavanin e Kishës, përjetëson emrin e Justinianit dhe të gruas së tij Theodhora, si edhe të arkitektit Stefan. Prokopi, historiografi i perandorit, tregon të gjithë këto ngjarje, që i ka përjetuar, në librin e tij me titull: “THEMELIMI”. Një dorëshkrim tjetër, që ruhet në bibliotekën e manastirit është i murgut Eutikje (Ibn-el-Batrak), patriark i Aleksandrisë në shekullin IX-të. Përshkrimi i tij mbi fazat e ndryshme të ndërtimit është tepër i detajuar, por me sa duket pjesërisht legjendë po mbahet parasysh koha kur është shkruar.

Nga fundi i shekullit VI, me vdekjen e Justinianit dhe disa dekada më vonë nga ndërtimi i Kishës, u krijua një vepër arti pa precedent dhe autorët e saj ndoshta kanë qenë murgjit e manastirit. Eshtë fjala për mozaikun e Shpërfytyrimit të Iisu Krishtit (Matth. 17, 1-3). Ndriçimi i fytyrës së Krishtit dhe gëzimi që shprehej në fytyrën e Petrit duke thirrur: “Mësues, është mirë për ne të jemi këtu”. (Lluk. 9:33) është një “summum” e shprehur në mënyrë figurative, por etërit e shenjtë asketë, murgjit me anë të kësaj nuk bënin veçse të shprehnin praninë hyjnore në jetën e tyre kalimtare. Në këtë mënyrë tema e mozaikut ishte evidente për etërit e parë të manastirit dhe për më tepër që të dy profetët, Moisiu dhe Ilia, i folën Zotit Jisu Krisht në çastin e Shpërfytyrimit, kishin dëgjuar zërin e Tij dhe e kishin parë në mënyrë simbolike disa shekuj më parë po në atë Mal Horeb. Eshtë për këto arësye që Kisha u quajt “Kisha e Shpërfytyrimit të Krishtit Shpëtimtar”, emërtim që më vonë u bë titulli i saj zyrtar. Ishte pikërisht nga fundi i kësaj periudhe që vetë Perëndia i bëri një dhuratë manastirit: trupi i Shën Ekaterinës u gjend mbi malin që sot mban emrin e saj.

Dr. Evangelos Papajoanu

(Pjesët e mësipërme janë nga përkthimi i edicionit frëngjisht prej z. Teodor Papapavli)