EmailFacebookKontakt

Manastiri po shkatërohet me paramendim

“Manastiri po shkatërohet me paramendim”

Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, Anastasi, deklaroi:

Ajo që po ndodh muajt e fundit në Manastirin historik të Shën Gjergjit, në Çukë të Sarandës, është po aq serioze sa dhe shkatërrimi i afreskeve të Kishës së Voskopojës. Ato ikona i shkatërroi brenda një nate një grup të rinjsh të nxitur nga fondamentalistë të huaj. Në rastin e Manastirit të Shën Gjergjit, cënohet territori i një manastiri orthodhoks të shek. XIV, i cili po shkatërrohet me paramendim me anë të rreth 40 barakave, ku janë vendosur familje myslimane nga krahina të tjera dhe njolloset pamja e një mjedisi me bukuri të rrallë natyrore, me buldozerë të dërguar me leje ose me porosi të funksionarëve shtetërorë të papërcaktuar.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë proteston, sepse në vend të kthimit të pasurisë kishtare, çohen drejt shkretimit manastire të vjetra. Po kështu ndodh edhe në Manastirin e shenjtë të Cepos, në Gjirokastër, e gjetkë dhe madje, nga okupuesit kërcënohen me armë zjarri edhe të dërguarit të Kishës. Shkatërrimi i fundit i ikonave nuk riparohet. Por, në rastin e Manastirit të Shën Gjergjit e keqja mund të ndreqet; mjafton të zbulohet dredhia e nxitësve, të informohet opinioni publik dhe të ekzistojë ndërhyrja kompetente e organeve qeveritare.

Për ruajtjen e Manastirit janë bërë studime restaurimi e janë gjetur burime për ngritjen e një qendre shpirtërore. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë nuk do pushojë së luftuari për mbrojtjen e thesareve të saj kulturore dhe të të drejtave të saj të pamohueshme në shekuj.

Tiranë, 3 shtator 1996