Manastiri i Stavrovounit (i Kryqit të Shenjtë) ndodhet në majën e një kodre, në një lartësi prej 750 metra, në rajonin e Larnakës, në Qipro. Ky është dhe manastiri i parë i ndërtuar në ishull, nga Shën Elena dhe daton në periudhën midis viteve 327-328.
Një nga objektet më të çmuara është dhe një pjesë nga Kryqi Shenjtë, i cili u la në këtë manastir po nga vetë shenjtorja. Historia na tregon se gjatë kthimit për në Konstandinopojë, Shën Elena ndaloi në ishullin e Qipros, dhe një natë ajo pa se Kryqi i Shenjtë u zhvendos në majën e një kodre. Edhe pse u përpoq që ta lëvizte prej andej, nuk mundej, por vetëm pasi la atje një pjesëz të Kryqit të Shenjtë, mundi ta merrte Kryqin. Kështu filloi themelimi dhe ndërtimi i manastirit të shenjtë të Stavrovounit, nga një kishëz e cila u kthye në manastir.
Pjesa më e madhe e ndërtesave të tij është ruajtur dhe ka ardhur deri më sot, duke përfshirë dhe disa shtesa, ndërtime për nevojat e manastirit.
Objekti më i shenjtë dhe më i çmuar është ajo pjesë e Kryqit të Shenjtë dhe gjithashtu në të gjenden një nga gozhdët e litarit që e kishte lidhur Jisu Krishtin me Kryqin, si dhe disa zinxhirë që njihen si zinxhirët e Shën Fanaretit, episkopit të Pafosit (shek 18-të) etj. Duke filluar nga shekulli i 16-të deri në atë të 19-të, në manastir nuk kishte murgj për shkak të reprezaljeve osmane, por kishte disa eremitë që jetonin në shpella në afërsi të tij. Në fund të shekullit të 19-të, një murg nga Mali i Shenjtë, Dionisi, u vendos në manastirin e Stavrovounit në vitin 1889, duke bërë që t’i rikthehej përsëri jeta murgërore dhe shpresëtare. Një vit më pas, më 1890 edhe 3 murgj të tjerë, po nga mali Athos do t’i bashkoheshin këtij manastiri, si dhe shumë të tjerë më pas.
Përgatiti K. Luçi