EmailFacebookKontakt

Manastiri i Shën Joan Vladimirit

Manastiri i Shën Joan Vladimirit, pranë Elbasanit, është jo vetëm një qendër shpirtërore orthodhokse me vlera të jashtëzakonshme, por edhe mbart shumë histori, gjatë gati një mijë viteve të historisë së tij. Manastiri u rindërtua në vitin 1381 nga Karl Topia, mbi rrënojat e një kishe më të vjetër dhe u bë 4 herë më i madh, siç del nga mbishkrimet në portalin e tij. Janë tri mbishkrime: latinisht, greqisht dhe sllavisht, me përmbajtje të përafërt, ku thuhet se Karl Topia, mbret i arbërve, e ka bërë manastirin për lavdinë e tij. Në mbishkrim thuhet: “Këtë kishë të shenjtë të Joan Vladimirit e ka ndërtuar Karl Topia, Zoti i Arbërit, në të 22-tin vit të zotërimit të tij dhe e mbaroi atë në të 24-tin vit të zotërimit të tij”. Gjatë shekullit të 18-të Kostandin Shpataraku pikturoi muret e kishës.

Manastiri u dogj nga gjermanët në vitin 1944 dhe u rindërtua pas vitit 1991 nga Kryepiskopi Anastas. Manastiri ka pasur një bibliotekë të madhe e të pasur, që u dogj, si dhe ikona e objekte kishtare me shumë vlera, disa prej të cilave ruhen ende. Gjëja më e çmuar që u ruajt në shekuj në të është lipsani shumë i çmuar i Shën Joan Vladimirit, që nderohet në panairin e përvitshëm, në datën 4 qershor. Gjithashtu, së fundi, në manastir është kthyer një pjesë e lipsanit të shenjtorit që mbahej në Muzeun Kombëtar. Në portal është e gdhendur edhe stema e Karl Topisë. Ka formë katërkëndëshe dhe përbën jo vetëm një vepër arti, por edhe një nga stemat më të rëndësishme të historisë së heraldikës sonë.

T. D