EmailFacebookKontakt

Manastiri i Ardenicës duhet t’i kthehet Kishës Orthodhokse

Nga Teodor Papapavli, Pedagog në Seminarin Theologjik të KOASH

Shkak për këtë shkrim u bë një ekskursion i organizuar në pikën turistike të Ardenicës me rastin e 1 Majit dhe që u transmetua nga TVSH. Sa shumë do të dëshironin besimtarët orthodhoksë që ky eskursion të ishte një pelegrinazh…

Manastiri i Ardenicës është i vetmi manastir që i shpëtoi rrebeshit komunist, qendër spirituale e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, dëshmi e gjallë e gjenisë krijuese të popullit tonë në shekuj. Ai është vepër e mjeshtërve vendas të arkitekturës dhe ikonografisë kishtare. Midis të tjerëve, aty ka derdhur talentin, dashurinë dhe mjeshtërinë e tij jeromonaku i njohur Konstandin Shpataraku, i cili ka zografisur në muret e brendshëm të kishës së manastirit afreske edhe me shenjtorë vendas, si p.sh. Shën Joan Vladimiri, nga Elbasani, në një kompozim ku spikat në sfond princi Karl Topia, Shën Joan Kukuzelin, nga Durrësi, themeluesi i muzikës kishtare bizantine etj. Sipas traditës gojore, të përcjellë brez pas brezi në Myzeqe, Gjergj Kastrioti, kur kthehej nga Kanina me shpurën e krushqve dhe me nusen e tij Donikën, u ndal në Manastirin e Ardenicës për të vënë kurorë në kishën e këtushme. Gjatë shekujve Manastiri i Ardenicës ka shërbyer njëkohësisht edhe si shkollë. Nga bankat e saj kanë dalë priftërinj, psaltë, mësues dhe peshkopë me emër, siç ishin peshkopët Johasafi I dhe Johasafi II, të dy nga fshati Bubullimë, dhe që të dy mitropolitë të Beratit etj.

Që nga thellësia e shekujve dhe deri në mesin e shekullit XX, Manastiri i Ardenicës ka qenë në administrimin e Kishës Orthodhokse. Në vitin 1967 u shtetëzua nga regjimi komunist për vlerat e tij të jashtëzakonshme dhe u shndërrua në monument kulture. Më vonë në vitin 1980, kaloi në inventarin e pasurisë së patundshme të Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe, më vonë, në vitin 1989, nisen të bëhen punimet e restaurimit. Në këtë vit, në bazë të një kontrate midis Ndërmarrjes së Turizmit – Lushnjë dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës – Tiranë, që përsëritet çdo vit, Manastiri i Ardenicës u kthye në një pikë turistike për qëllime biznesi. Për këtë qëllim aty u bënë punime dhe instalime hidrosanitare të nevojshme për mjediset e hotelerisë, barbufesë, restorantit, tavernës etj. Reklamat e bujshme në shtyp e Radiotelevizion ftojnë periodikisht qytetarët dhe familjet e tyre për të frekuentuar pikën turistike të Ardenicës, për të kaluar aty fundjavën, ditët e tjera të pushimit etj. Aty bëhen dasma e fejesa, shtrohen gostira, dreka e darka, ndizet kënga e vallja, luhet bixhoz, kërcehet tuist dhe rokenroll, ndërsa çiftet mund të kalojnë netët në dhomat e pajisura me tërë konfortin.

Pra, Manastiri i Ardenicës, nga qendër spirituale shekullore e Kishës Orthodhokse, është shndërruar në një qendër dëfrimi dhe argëtimi; nga një monument kulture në një objekt antikulturor. Mendojmë se ky është një atentat kundër trashëgimisë kulturore të popullit tonë, një sakrilegj ndaj një institucioni spiritual të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

Në këtë gjendje e trashëgoi Manastirin e Ardenicës regjimi aktual demokratik. Dhe për ish-regjimin komunist ishte plotësisht i justifikuar një trajtim i tillë i këtij institucioni, sepse synonte të poshtëronte çdo gjë fetare, i nxitur nga një urrejtje e thellë ideologjike ndaj çdo besimi fetar (feja, sipas filozofisë marksiste, është “opium për masat”). Përkundrazi, regjimi demokratik nuk duhej ta toleronte këtë gjendje dhe t’i kthente këtij monumenti të kulturës kombëtare dinjitetin e vet. Duke mos e bërë këtë gjë, dashur padashur, krijohet përshtypja sikur disa politikanë të sotëm qeverisin vendin me mentalitetet e vjetra ateiste. Kjo mund të ndodhë edhe për inerci psikologjike, sepse brezi i vjetër dhe brezi relativisht më i ri u edukuan me ideologjinë ateiste dhe kjo gjë është aq e vërtetë, saqë mjaft personalitete të jetës politike, shoqërore, artistike e kulturore nuk besojnë në Zotin. Veçse, duhet theksuar se ateizmi është një çështje personale e secilit dhe, në një shoqëri demokratike, si e jona, çdo njeri është i lirë të besojë ose të mos besojë. Por, kur je i ngarkuar të qeverisësh vendin, për hir të parimeve të lirisë dhe të demokracisë, je i detyruar moralisht dhe juridikisht të respektosh institucionet fetare. Kthimi i tyre në monumente kulture nuk mund t’i zhveshë ato nga karakteri fetar e kishëtar shekullor, nuk mund t’i tjetërsojë.

Krahas objekteve dhe pronave të saj, Kisha Orthodhokse ka kërkuar vazhdimisht që t’i kthehej edhe Manastiri i Ardenicës, por është ndeshur në refuzimin kategorik të autoriteteve shtetërore kompetente. Për të mos e kthyer, ato invokojnë faktin se Kisha nuk është në gjëndje ta ruajë këtë monument kulture nga vjedhjet dhe grabitjet. Mirëpo çfarë tregon historia? Shekuj me radhë Manastiri i Ardenicës ka qenë në administrimin e Kishës dhe ka mbetur i pacënuar dhe i adhuruar si vend i shenjtë. Përkundrazi, duke kaluar në administrimin e organeve shtetërore u bënë vjedhje të mëdha. Keqbërësit zhveshën ikonostasin dhe kishën e manastirit nga ikona të vyera dhe objekte të tjerë me vlera të paçmuara. Duke e parë çështjen pak më gjerë, të vjen të bësh pyetjen se cili është ndryshimi midis dëmtimeve që u bëjnë monumenteve të kulturës, vjedhësit e ikonave, të eshtrave të shenjtorëve, të këmbanave, epitafeve etj. dhe përdhosjes spirituale të tyre duke i shndëruar në qendra argëtimi dhe dëfrimi? Vëmendja ndaj kërkesave të kishës dhe respekti ndaj komuniteteve fetare duhet të jetë i barabartë.

Në proçesin e ringjalljes së saj Kisha Orthodhokse ka nevojë të domosdoshme për Manastirin e Ardenicës. Ajo është në gjendje ta restaurojë dhe t’i kthejë manastirit jetën dhe rolin spiritual të dikurshëm, si qendër kryesore e monakizmit orthodhoks shqiptar. Do të ishin kursyer fonde, që po përdoren për ndërtimin e një ansambli të madh arkitekturor në Shën Vlash të Durrësit, i destinuar për Akademinë theologjike, me mjedise sipas standarteve evropiane, si dhe një manastir për murgjit e ardhshëm shqiptarë. Në jetën e Kishës manastiret luajnë një rol të dyfishtë: nga njëra anë – dhe kjo është primare – janë qendra spirituale ku kultivohet në shkallën më të lartë adhurimi i Zotit dhe nga ana tjetër, shërbejnë si vatra edukimi për përgatitjen e episkopëve të ardhshëm, sepse në bazë të kanoneve të Orthodhoksisë, episkopët dalin nga radhët e murgjërve me kulturë të lartë teologjike. Pra, në këtë vështrim, roli i manastireve është i pazëvendësueshëm. Të gjithë episkopët së bashku formojnë Sinodin, që është organi kolegjial më i lartë i çdo kishe orthodhokse autoqefale.

Refuzimi i autoriteteve shtetërore për t’i kthyer Kishës Orthodhokse Manastirin e Ardenicës, i ka dhënë shkas edhe komenteve të shtypit orthodhoks evropian. Në nr. 191, shtator-tetor 1994, Buletini “Service Orthodoxe de Presse”, që del në Paris, shkruante: “Manastiri i Ardenicës, që ka qenë qendër spirituale e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë, vazhdon të jetë zënë nga një Bar-bufe dhe një tavernë (boite de nuit). Po kështu vendet e manastireve të tjerë, megjithëse rrënoja, nuk i janë kthyer asaj”. Në marrëdhëniet e Shtetit me Kishën Orthodhokse vihet re një farë ngurrimi për t’i ardhur në ndihmë, për t’i plotësuar në kohë kërkesat e saj legjitime. Nga ana tjetër, duhet vënë në dukje se, duke mos njohur rregullat kanonike të Orthodhoksisë, krijohen situata paradoksale, sepse edhe pse synohet që sa më shpejt kisha jonë autoqefale të jetë plotësisht me strukturën e saj tokësore – kanonike dhe me sinod, zgjidhja e kërkesave zvarritet shumë ose lihet pezull për një kohë të gjatë. Në këtë mënyrë vonohet shumë procesi i ringjalljes së saj të plotë dhe veprimet ose mosveprimet e autoriteteve shtetërore, dashur pa dashur, kthehen si një burnerang kundër vete synimeve të tyre. Prandaj, për të gjitha arsyet e sipërme, Manastiri i Ardenicës duhet t’i kthehet Kishës Orthodhokse.