EmailFacebookKontakt

Manastiret e Mitropolive të Hirshme të Korçës, Beratit dhe Tiranë-Durrësit

Në numrin e kaluar të gazetës “Ngjallja” kemi botuar emrat e manastireve që kanë ekzistuar dhe funksionuar në Mitropolinë e Hirshme të Gjirokastrës, gjer në vitin 1967, kur u suprimua Kisha dhe çdo veprimtari tjetër fetare.

Në këtë numër të “Ngjalljes” po vazhdojmë botimin e emrave të manastireve që kanë ekzistuar e funksionuar në të tri Mitropolitë e tjera të Kishës tonë Orthodhokse Autoqefale, gjithnjë në bazë të dokumenteve ekzistuese, me të vetmin qëllim, të cilin e theksuam edhe në numrin e kaluar, që të rqptim këshillat Kishëtare të këtyre Mitropolive, si edhe të fshatrave pranë të cilëve dhe prej të cilëve janë ngritur, që, me rastin e miratimit të ligjit mbi pronësinë, të interesohen për gjendjen e tyre, për pronat dhe pajisjet e tyre, në mënyrë që të krijohen përsëri mundësitë e ringritjes, të funksionimit e të kryerjes edhe në të ardhmen të misionit të tyre spiritual, kulturor, bamirës dhe kultik.

Manastiret e Mitropolisë së Hirshme të Korçës

1. Manastiri i Shën – Prodhromit, në veri të fshatit Voskopojë. Në bazë të kodikut të manastirit, i cili është botuar dhe komentuar nga i ndieri mitropolit Joaqim Martiniani nga Voskopoja, manastiri është ngritur nga gjysma e parë e shek. XVII, ka qenë në gjëndje të mirë ekonomike dhe një qendër e rëndësishme spirituale për tërë orthodhoksët e rrethit të Korçës. I është kushtuar Shën Joan Pagëzorit.

2. Manastiri i Vithkuqit, pranë fshatit Vithkuq. Nuk dihet me siguri koha e ndërtimit. Kisha ishte pikturuar rreth viteve 1764-65 prej piktorëve shqiptarë Konstandin e Athanas Zografit. Ka patur një bibliotekë të pasur, siç tregon i ndieri Ilo Mitkë Qafëzezi. U ishte kushtuar apostujve të shenjtë Petrit e Pavlit.

3. Dy manastire pranë fshatit Boboshticë: ai i Shën Kollit dhe ai i Shën Marisë. Që të dy, ndërtime të periudhës paraosmane. Kisha e Shën Kollit është bërë e re më 1501 pas Krishtit

4. Manastiri i Kamenicës, afër fshatit Kamenicë. I ishte kushtuar Shën Kollit.

5. Manastiri i Shën Ilias, mbi një kodër dominuese të fshatit Hoçisht. Ishte ngritur nga fillimi i shek. XIX dhe ishte në gjendje të mirë ekonomike.

6. Manastiri i Llëngës, kushtuar dëshmores së madhe Shën Marenë, në rrethin e Pogradecit.

7. Manastiri i Kodrës, në rrethin e Përmetit, kushtuar Fjetjes së Shën Marisë. Ishte ngritur në shek. XVI.

Manastiret e Mitropolisë së Hirshme të Beratit

1. Manastiri i Ardenicës, mbi një kodrinë që dominon një pjesë të gjerë të horizontit dhe që ngrihet mbi fshatm Kolonjë të Myzeqesë. Mendohet se është ndërtim i kohës së perandorit bizantin Andronik II Paleologut, megjithëse mbi portën e hyrjes figuron data 1 maj 1477 dhe mbi një portë të Kishës viti 1754, të cilat mendohet se janë data rindërtimesh. Kisha është e pikturuar nga piktorët tanë Kostandin Shpataraku dhe Konstandin e Athanas Zografi. Ka pasur një bibliotekë të pasur dhe një shkollë të mesme. Ka qenë një nga manastiret më në gjendje të Kishës. I është kushtuar Lindjes së Shën Marisë.

2. Manastiri i Pojanit, pranë qytetit antik të Apolonisë. Eshtë manastir i vjetër i periudhës bizantine, i ngritur mbi Katedralen e Episkopatës së vjetër të Apolonisë. Një nga ktitorët e saj kryesorë ka qenë perandori Andronik Paleologu II (1282-1328 pas Kr.), piktura e familjes së të cilit ndodhet edhe sot. Edhe ky manastir qe në gjendje të mirë ekonomike. I është kushtuar Fjetjes së Shën Marisë.

Shtojmë se dy manastiret e mësipërm, falë shpalljes së tyre si monumente kulture, i shpëtuan shkatërrimit, por akoma mbahen si të tilla.

3. Manastiri i Kolkondasit. Ky manastir është ngritur në shekullin XVIII dhe i është kushtuar Shën Kozmait. Ka qenë në gjendje të mirë ekonomike. Ka pasur shkollë dhe bibliotekë. Kisha ka qenë e pikturuar.

4. Manastiri i Zvërnecit. Eshtë ndërtim i periudhës bizantine, ngritur mbi një ishull të vogël afër fshatit Zvërnec të Vlorës dhe i është kushtuar Ungjillëzimit të Hyjlindëses. Kisha e këtij manastiri ka qenë e pikturuar dhe e skalitur.

5. Manastiri i Shën Kollit në afërsi të fshatit Divjakë.

6. Manastiri i Shën Trifonit, në fshatin Sheqishtë të Myzeqesë.

Manastiret e Mitropolisë së Hirshme të Tiranë -Durrësit

1. Manastiri i Shën Joan Vladimirit, në bregun e djathtë të Kushës, degë e Shkumbinit, para se të shkosh në Elbasan. Si bërthamë është themeluar në fillim të shekullit IX. Më vonë u rindërtua që në themelet nga princi shqiptar Karl Topia në shek. XVI. Në shek. XVIII artisti i shquar Kostandin Shpataraku stolisi ikonostasin me ikona të një vlere të lartë artistike. Ka qenë qendër shpirtërore dhe kulturore jo vetëm për rrethin e Elbasanit, por edhe për tërë mitropolinë e Tiranë-Durrësit.

2. Manastiri i Shën Vlashit. Eshtë ngritur mbi një kodër në mes të fshatit me të njëjtin emër, në juglindje të Durrësit. Koha e themelimit nuk dihet. Kisha ishte e pikturuar nga piktorët shqiptarë. Ka qenë edhe ky, qendër spirituale me rëndësi për tërë mitropolinë e Tiranës dhe Durrësit. Panigjirizonte më 15 gusht dhe ishte në gjendje shumë të mirë ekonomike.

Dhimitër Beduli