Në një kohë kur largimi nga Zoti solli jo vetëm një degradim personal, por edhe shoqëror, të marrëdhënieve me njeri-tjetrin, si rrjedhojë një falsitet dhe dështim të mesazheve për një shoqëri më të mirë, në botën tonë letrare e shfaqet me modesti karakteristike libri me poezi i Johan Vupës “Mali i Parajsës”.
Autori i librit nga Tirana, që jeton sot në SHBA, na paraqet volumin e parë, me poezi të shkruara në vitet 80′-90′. Plot origjinalitet, sinqeritet e mjeshtëri, poezia e tij na përcjell mesazhe hyjnore, të cilësuara më së miri në titullin e librit. Ky mall për Parajsën, për parajsën-Kishë, që e përcolli Johanin si pranverë e ngrohtë gjatë dimrit ateist, kërkon të na ngrohë dhe ne, duke i dhënë kështu një dimension të ri misionit të letërsisë së sotme shqipe. Malli për Parajsën, për Zotin bëhet burimi i ideve të çdo poezie të tij, duke vendosur në rrugë të drejtë nevojën shpirtërore të çdo njeriu apo kombi.
Të bie në sy kultura teologjike dhe notat mistike të poezisë, që depërtojnë saktësisht në misterin e qenies e jetës njerëzore. Por ajo që vlen të theksohet, çka është dhe misteri i poezisë së tij, është se autori mban një qëndrim pozitiv ndaj mjedisit që e rrethon. Si shkak të së keqes, që është humbja e mallit për Parajsën dhe zëvendësimi i saj me dëshira të rreme për kënaqësi personale e pushtet mbi të tjerët dhe si tiran të saj autori nuk sheh askënd veç tiranit – Unë, të çdonjerit prej nesh, Këtë përgjegjësi personale autori e jep qartë në të shprehurin e tij në veten e parë sa herë që ndodhet përballë Zotit.
Ky vëllim bëhet sot shumë aktual dhe le të shpresojmë që kjo lloj poezie është një nga shkëndijat e atij zjarri, për ngrohtësinë e të cilit letërsia, kultura jonë në përgjithësi dhe shpirti shqiptar ka më tepër nevojë se çdo gjë. Libri po shitet dhe në dyqanin e Kishës.
Irene Pandeleimoni