EmailFacebookKontakt

Maksim Omologjeti (Konfesori)

Më 13 gusht kremtohet ngritja e lipsanit të tij, që u vendos (nuk dihet se kur), në manastirin ku qe igumen. Kremtohet edhe më 21 janar dhe 20 shtator.

Shën Maksimi, ka qenë theolog i shekullit VII. U lind më 580, nga një familje aristokrate e Konstandinopojës. Dijetar e filozof, hoqi shpejt dorë nga puna si kryesekretar i perandorit Irakli (610-641), u bë murg dhe më pas igumen në Manastirin e Hyjlindëses, karshi Konstandinopojës. Por, invazionet persiane kundër Konstandinopojës e detyruan të zhvendosej për 2 vjet në Kizike të Propontidës (624-626) dhe më vonë në Afrikë, ku shkoi nëpërmjet Kretës dhe, ndoshta, nëpërmjet Qipros. Bëhet kundërshtari më i fortë i Monotelizmit, degë e Monofizitizmit dhe, përgjithësisht, udhëheqës i orthodhoksëve për një çerek shekulli. Vepron në Sinode, kumton në një gamë shumë të gjerë dhe me një mendim të thellë.

Në vitin 645 ose 646 shkon në Romë, ku bëhej Sinodi (649), ku ishte protagonist. Atje dënon dy urdhëra të perandorit Konstandin III (641-668). Arrestohet dhe dërgohet në Bizant së bashku me dy nxënësit e vet, Shën Anastasët (20 shtator), ku akuzohet si “komplotist” së bashku me vëllezërit e tij shpirtërorë. Internohet tri herë (655, 656, 662), pas gjyqeve respektive në kryeqytet. U bëhet anatema, i nxjerrin nëpër rrugë dhe u presin, ndoshta, gjuhën dhe dorën e djathtë. Oshënari ynë, tashmë i plakur dhe i përvuajtur, i burgosur në një kështjellë të Kaukazit, fjeti në gusht të vitit 662.

Shkroi në një stil të dendur shpjegime të Shkrimit të Shenjtë dhe interpretime të Grigor Theologut (25 janar) dhe të Shën Dionis Areopagitit (3 tetor). Për më tepër, na la trashëgim vepra origjinale liturgjikale, (siç është vepra më madhore – Mistagogjia), vepra dogmatike dhe luftarake kundër herezive, si dhe 47 letra.