EmailFacebookKontakt

Lutje për paqe të Dielën e Orthodhoksisë

Çdo vit, të Dielën e Parë të Kreshmës, të Orthodhoksisë, Kisha jonë kremton fitoren kundër herezisë ikonoklaste. Kjo fitore përkon me rivendosjen e ikonave në Kishat Orthodhokse, në vitin 843, pas një vale të gjatë persekutimi. Që atëherë u vendos të kremtohet me madhështi kjo ngjarje e madhe. Njëkohësisht, kjo ditë fitoi një përmbajtje më të gjerë dhe arriti të shënojë triumfin e Orthodhoksisë sonë, kundër gjithë herezive dhe gjithë kundërshtarëve të saj ndër shekuj.

Më 13 mars 2022, u krye Liturgjia Hyjnore në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë, nga Mitropoliti Nathanail, në prani të Kryepiskopit Anastas, bashkë me klerikë të kryeqytetit. Për të Dielën e Orthodhoksisë besimtarëve të shumtë të mbledhur për këtë të kremte të shënuar u foli Ikonom Stavrofor atë Aleks Ndoni.

Në mbyllje të Liturgjisë u krye litania e ikonave.

Në përfundim, besimtarëve iu lexua thirrjet e Kryepiskopit Anastas për ndalimin e luftës dhe paqen në Ukrainë dhe u bë një lutje e posaçme për paqe.