Lutje dhe lëmoshë
Lutja ka lidhje me lëmoshën. Me lutjen kërkojmë përdëllimin. Dhe si do marrim përdëllimin e madh nga Perëndia, në qoftë se nuk japim përdëllimin e vogël?
Lutja dhe lëmosha ngjiten lart në fronin e Perëndisë. Thotë Krisostomi hyjnor: “Ky çift mund të na shkaktojë mijëra të mira nga lart dhe të shuajë zjarrin e mëkateve. Duke përdorur këtë çift Korneli i drejtonte lutjet qiellit”. (E.P.E. 30,492). Duart jo vetëm të lartësuara, për lutje, por edhe të shtrira nga jashtë, për lëmoshë. Kur duart janë të mbyllura shtrënguar, nuk dëgjohet lutja. Dhe duart janë të shtrënguara, kur bëhen grushe hakmarrjeje ose kur janë të palëvizura për lëmoshë?
Mbretëresha e virtyteve
Lutja është mbretëresha e virtyteve. E gatshme të na ndihmojë, të na nxjerrë nga mjerimi dhe të na çojë në lavdi. E gatshme të na çlodhë.
Nuk mundet mbreti t’i mbyllë portën mbretëreshës. Nuk mundet Perëndia të mbyllë portën e përdëllimit të tij, kur na shoqëron lutja. Trokit, trokit, thotë Zoti: “Atij që troket do t’i hapet” (Matth. 7,8). Shën Joani i Shkallës thekson: Kërko me lot, kërko me dispozicion (dëshirë) bindjeje, trokit me zemërgjerësi dhe të jesh i sigurt se Perëndia do të hapë: “Kërko me vajtim, kërko me bindje, trokit me zemërgjerësi; ai që lyp kështu merr, dhe ai që kërkon gjen, dhe atij që troket do t’i hapet”.
Kemi kaq gjëra për të kërkuar nga Perëndia për veten tonë, për familjen tonë, për kombin tonë, për rininë, për kishën.
Le të vëmë në veprim fuqinë e lutjes.