Rev. Dr. Konrad Raiser është sekretar i përgjithshëm i Këshillit Botëror të Kishave, i zgjedhur në këtë post më gusht 1992, dhe mori kompetencat nga sekretari i mëparshëm Dr. Emilio Kastro, nga janari 1993. Gjatë punimeve të Komitetit Drejtues të KBK në Johanesburg, i morëm këtë intervistë.
– Çfarë është për familjen e madhe Ekumenike anëtarësimi në të i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë?
– Para së gjithash, ky anëtarësim është për ne një rast gëzimi dhe falenderimi, sepse, ashtu siç tha Kryepiskopi Anastas në përshëndetjen pas vendimit, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë do të kishte qenë anëtare e Këshillit Botëror të Kishave po të mos ish penguar nga situatat politike. KOASH qe e angazhuar në punimet e lëvizjes “Besim dhe Rend” para themelimit të Këshillit Botëror të Kishave. Fakti se një Kishë e cila kishte rrënjë dhe lidhje kaq të hershme me Lëvizjen Ekumenike mund të antarësohet me të drejta të plota, është për ne një shenjë, një burim gëzimi dhe falenderimi. Ky anëtarësim do të thotë se tashmë Kisha mund të marrë pjesë plotësisht dhe mund të hyjë në mbështetjen e ndërsjelltë dhe ndarjen e burimeve që karakterizon punën e Këshillit Botëror të Kishave. Mendoj se nuk do të ndryshojnë ndjeshëm marrëdhëniet që kemi me ju në mënyra të ndryshme, sepse edhe përpara këtij vendimi marrëdhëniet e Këshillit Botëror të Kishave me KOASH kanë qenë njësoj sikur qe anëtare e rregullt.
– Cilat janë përpjekjet për bashkëpunim të mëtejshëm, kooperim dhe mbështetje tani që Kisha jonë është anëtare e rregullt e Këshillit Botëror të Kishave?
– Vitet e fundit kemi zhvilluar konceptin e tryezës së rrumbullakët, që sjell bashkë kishën ose kishat në një vend, dhe partnerët ekumenikë të mbledhur nëpërmjet Këshillit Botëror të Kishave zhvillojnë kështu një kuptim të përbashkët për nevojat, si do të shihen sa më mirë, pastaj të hyjnë në angazhimin të ndërsjelltë. Ky koncept, mendoj është shumë i përshtatshëm për Shqipërinë. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, ka një numër nevojash të qarta; nevoja për krijim, rikonstruktim, restaurim kishash, nevoja për edukimin e personelit kishtar; të priftërinjve, por edhe të gjithë punonjësve të tjerë, në të gjitha nivelet e jetës së Kishës. Eshtë e qartë se Komuniteti Ekumenik thërritet të japë mbështetjen e vet, por iniciativa e parë për identifikimin dhe përshkrimin e nevojave sigurisht që duhet të vijë nga Kisha Orthodhokse në Shqipëri, dhe ka ardhur.
– Preokupimet e pjesës orthodhokse të Këshillit Botëror të Kishave po përtërihen – siç theksuat, – pas vizitës suaj në Kishat Orthodhokse të disa vendeve. Diçka më konkrete për këto preokupime dhe për mënyrat e trajtimit të tyre.
– Ndryshimi i sistemit politik në shumicën e Kishave Orthodhokse të Europës Lindore, solli një situatë totalisht të re. Për herë të parë ato janë Kisha të lira, që mund të përcaktojnë vetë përparësi, që mund të angazhohen dhe të ndërmarrin iniciativa dhiakonale edukimi dhe informimi publik.
– Në situatën e re është shumë e qartë se nevoja më e madhe është që Kisha Orthodhokse të kontribuojë në edukimin e besimtarëve në familjen orthodhokse dhe kjo do të thotë përgatitje edukuesish, katekistësh, të cilët do të jenë të aftë të hapin institucione që do të ofrojnë edukim teologjik, për njerëzit që duan të jenë orthodhoksë por që nuk e kanë të qartë çfarë do të thotë kjo. Në të gjitha këto fusha ne përpiqemi bashkë me Kishën Orthodhokse të zhvillojnë mënyrën nëpërmjet të cilave Komuniteti Ekumenik mund t’i ndihmojë, duke njohur faktin se kjo mund të jetë vetëm një asistencë, kurse përgjegjësia kryesore, sigurisht, që bie mbi vetë kishat lokale.
– Lëvizja Ekumenike feston 50-vjetorin e saj, që koinçidon me Asamblenë e 8-të më 1998, në prag të shek. XXI dhe Rev. Dr. Raiser është në epiqendër të saj. Si e shikon Lidhja Ekumenike në shekullin e ardhshëm dhe cili është vizioni juaj personal për këtë familje të madhe?
– Para së gjithash, jam i bindur se Lëvizja Ekumenike sot është aq e domosdoshme, sa ka qenë edhe kur u formua Këshilli Botëror i Kishave, menjëherë pas Luftës së II Botërore. Bota jonë iu nënshtrua një ndryshimi të madh, të menjëhershëm, dhe ndjejmë nevojë për të rindërtuar, rikonstruktuar, komunitetin njerëzor. Jam i bindur se Kishat duhet dhe mund të kenë një kontribut shprehës në këtë proces. Eshtë shumë e qartë për mua se nuk mund ta bëjmë këtë vetëm, të ndarë me njëri-tjetrin, por vetëm bashkarisht. Mendoj se Lëvizja Ekumenike nuk është në krizë, por po merr pjesë në një proces transformimi, në të cilin gjejmë të angazhuara shoqëritë dhe qytetërimet tona.
Së dyti, besoj se gjatë 50 vjetëve të fundit të Aktivitetit Ekumenik kanë ndodhur shumë ndryshime themelore në marrëdhëniet midis kishave me njëra-tjetrën; tjetërsimi, mosdija, janë transformuar në konfidencë, në marrëdhënie besimi; në gatishmëri për ta quajtur njëri- tjetrin jo si të huaj, porsi pjesëtarë të së njëjtës familje.
Së treti, besoj, gjithashtu, se shumica e vështirësive tradicionale që kanë çuar kishat në ndarje, vështirësi doktrinale, janë zgjidhur, janë sqaruar deri në një shkallë që unë personalisht mendoj se është koha për Kishat e krishtera për të ndërmarrë një hap të madh të dukshëm në drejtimin e një komunikimi shoqëror, unitet të dukshëm. Shpresoj se Kishat me ndihmën e Këshillit Botëror të Kishave, mund të jenë të afta për të hyrë në shek XXI me këtë ndjenjë, të çliruara nga e kaluara e ekzistencës së ndarë dhe të ecin në rrugën e një jete të re komunikimi të vërtetë.
– Ndonjë mesazh për besimtarët orthodhoksë të Kishës sonë?
– Sigurisht që do të dëshiroja të uroj çdo bekim në jetën e Kishës Orthodhokse, te besimtarët e saj, dhe është lutja ime që dëshmia juaj në shoqërinë shqiptare të jetë e qartë dhe mbështetëse për njerëzit, që zëri i Ungjillit të dëgjohet.
– Të jeni i sigurt se edhe ju keni lutjet e tyre.
Korresp. i “Ngjalljes”