Lutja dhe kreshmimi mund të na ndihmojnë të rritemi në besim. Lutja dhe kreshmimi mund të na ndihmojnë t’i afrohemi Perëndisë. Lutja dhe kreshmimi mund të na ndihmojnë t’ia dorëzojmë vehten tonë fuqisë së Perëndisë. Lutja dhe kreshmimi mund të shndërrohen në instrument të fuqishëm gjatë udhëtimit tonë shpirtëror.
Gjatë Kreshmës të gjithë të krishterët orthodhoksë kreshmojnë. Për fat të keq, shumë njerëz mendojnë se kreshma ushqimore është e mjaftueshme. Por, besimi ynë na mëson, se një kreshmim i tillë është i pakuptimtë, nëse nuk kombinohet me lutje.
Nëse dikush është duke kreshmuar sot, por nuk lutet më tepër se zakonisht, atëherë, sipas etërve të Kishës, kreshma juaj është një kreshmë e demonëve. Ne duhet të mbajmë një kreshmë, që të na ndihmojë të mendojmë për Perëndinë, jo për një stomak të boshatisur. Duhet të mbajmë një kreshmë që të na përgatisë për lutje dhe të drejtojë tërë vëmendjen tonë tek Perëndia. Duhet të bëjmë një kreshmë që të na ndihmojë të rritemi në besim dhe të besojmë plotësisht në fuqinë e Perëndisë. Kjo është një kreshmë e vërtetë.
Përpiquni në këtë periudhë të kreshmoni në këtë mënyrë. Nëse keni kreshmuar gjatë katër javëve të kaluara, vazhdoni të kreshmoni dhe vazhdoni të luteni shumë – bëni më tepër lutje të përditshme personale, si dhe ndiqni më shpesh shërbesat e shenjta në kishë. Nëse nuk keni kreshmuar gjatë këtyre javëve, duhet të filloni që sot.
Mos u shqetësoni për atë kohë që ka kaluar, por merrni një vendim, që për javët në vazhdim ju do përpiqeni të kreshmoni, por edhe të luteni më tepër. Sa herë që ju vjen një dëshirë për të ngrënë mish a për të pirë qumësht, mendoni për Perëndinë dhe thoni një lutje të shkurtër, ku t’i kërkoni Atij që të forcojë dhe të rritë besimin tuaj.