Në mesnatën e të Shtunës së Madhe, në kremtimin e Ngjalljes së Krishtit, morën pjesë mëse 20 mijë besimtarë, të cilët kishin mbushur plot jo vetëm kishën e Shën Gjergjit dhe oborrin e saj, por edhe rrugën e kishës, deri tek sheshi para shtëpisë së oficerëve, i cili shndrinte nga dritat e lambadhave të ndezura.
Kremtimi i pashkëve u bë dhe në kishat e fshatrave, si në Divjakë, Krutje, Këmishtaj, Karavasta, Goricaj, Krutje e Poshtëme, Bishqethëm, Toshkëz, Rrupaj, Bubullimë, ku pjesëmarrja e besimtarëve ishte mjaft e madhe. Shtojmë se në Kishën e Këmishtaj dhe në Goricaj Pashka e sivjetshme u kremtua duke bërë të gjithë Liturgjinë, pasi aty meshuan dy priftërinjtë e sapohirotonisur, at Llazar Nushi dhe at Thanas Papa.
Shtojmë, gjithashtu, se sipas traditës që ka pasur qyteti i Lushnjes, që të Premten e parë pas Pashkës kremtohej Shën Maria e Golemit, këtë ditë, në vendin ku ishte kjo kishë u bë një Liturgji Hyjnore, në të cilën morën pjesë shumë besimtarëve të ardhur nga qyteti.
Zoi Mitrushi