EmailFacebookKontakt

“Lum ata që nuk panë dhe besuan”

E Diela mbas Pashke, e quajtur e Diela e Dytë, është kështu dita e tetë e kremtimit paskal, dita e fundit e Javës së Ndritshme. Vetëm në këtë ditë në Kishën e vjetër, të porsapa gëzuarit i hiqnin rrobat e tyre të bardha të pagëzimit dhe hynin përsëri në jetën e kësaj bote.

Në shërbesat e Kishës i vihet theksi shfaqjes së Krishtit tek Apostulli Thoma. Rëndësia e ditës vjen tek ne nëpërmjet fjalëve të Ungjillit:

Pastaj i tha Thomait: “Vëre gishtin këtu dhe shiko duart e mia; dhe shtrije dorën e vëre në brinjën time; dhe mos u bëj i pabesë, por besëtar. Edhe Thomai u përgjigj e i tha “Zoti im dhe Perëndia im!” Jisui i thotë: “Sepse më pe, besove, lum ata që nuk panë dhe besuan”.
(Joani 20:27-29)

Ne nuk e kemi parë Krishtin me sytë tanë fizikë dhe as e kemi prekur trupin e tij të ngjallur me duart tona, por në Shpirtin e Shenjtë ne e kemi parë dhe shijuar Fjalën e Jetës (I Joani 1:1-4) dhe kështu ne besojmë.

Ikona në të majtë, është një mozaik i shek. të 11-të, i cili ndodhet në Manastirin e Dafnit, Greqi. Ai paraqet çastin e rrëfyer në Ungjill kur Krishti pas Ngjalljes, me praninë Tij, hedh poshtë dyshimet e Shën Thomait.