Llukai, ungjillor
18 tetor
Ishte grek, ndoshta nga Antiokia dhe “mjek i dashur” (Kol.4.14) i
apostull Pavlit (29 qershor).
Në veprën e tij historike tepër të vyer “Veprat e Apostujve”, që
merren kryesisht me apostull Petron (29 qershor) dhe shumë më tepër
me Pavlin, nga 16.10 flet në vetën e parë shumës, më parë flitej në
vetën e tretë njëjës. Pra ai ndoqi Pavlin nga udhëtimi i dytë apostolik e
deri në fund si bashkëpunëtor i përkushtuar i tij. Madje në letrën e dytë,
drejtuar Timotheut (4.11), Pavli i burgosur në Romë, tashmë me moshë
të thyer, thotë se pranë i kishte mbetur vetëm Llukai.
Më vonë, sipas Etërve, ai predikoi ose në Dalmaci (Jugosllavinë e
mëparshme), në Francë, Itali, Greqi (Maqedoni dhe Akai), ose në Lindjen
e Mesme, madje arriti gjer në Libi dhe Egjipt. U bë kryeprift dhe fjeti
ose u martirizua (rreth moshës 80 – vjeçare) në Thivaidha të Egjiptit
(sipas një versioni tjetër në Thiva të Greqisë). Në varrin e tij, në Thiva,
Perëndia derdhi si shi kolire për sytë, kështu që u bë më se i njohur!
Perandori Konstand (337-361) iu lut dukës, shën Artemit (20 tetor)
dhe transferoi lipsanin e tij në Bizant, ku u vendos në kishën e Apostujve
të Shenjtë së bashku me të tjerat (20 qershor).
Ungjilli i tij me shumë kapituj, më i provuari nga ana letrare, u drejtohej
idhujtarëve. Analizon lutjen, gëzimin, shpresën; me gjithë mentalitetin e
atëhershëm, ai lartëson shumë gratë. Sjell një strukturë thellësisht sociale,
ruan parabolat e të pasurit naiv, e të pasurit dhe Llazarit, e samaritanit të
mirë dhe të plangprishësit. Krishti erdhi për të vobektët! Mundon të
pasurit e padrejtë dhe nxit drejt dhembshurisë. Gjithashtu ruan edhe
himnet e Mbrëmësores dhe Mëngjesores: “Shpirti im madhëron Zotin”
(1.46-55), “I bekuar qoftë Zoti” (1.68-79), “Lavdi Perëndisë që është
në më të lartat” (2.14) dhe “Tani përlësho” (2.29-32). Ndërsa kapitulli i
27-të i Veprave të Apostujve është thesar i shkencës së lundrimit detar.
Llukai (greqisht dhe latinisht = i ndritur) nuk duket se ka qenë shok i
Kleopit gjatë udhëtimit drejt Emausit (Lluk.24.13-35). Një traditë shumë
e vjetër e konsideron si të parin piktor të ikonave të Hyjlindëses, së cilës
i pëlqyen shumë.