Të krishterët Orthodhoksë, të Shtunën e Shën Llazarit, e cila paraprin Javën e Madhe dhe të Shenjtë të Pashkës, të Pësimeve dhe Ngjalljes së Zotit tonë Jisu Krisht, këndonin “Llazoret”, të cilat ngjasojnë me Kolendrat e Krishtlindjes (23 dhjetor deri më 1 janar), me “Rusicat” (25 ditë pas Pashkës) dhe shoqërohen me shkëmbimin e dhuratave ose kuleçëve kreshmorë të bërë enkas për këtë ditë. “Llazoret” këndohen në disa vende dhe kanë përmbajtje të ndryshme. Më poshtë paraqesim njërën prej tyre:
Llazari
Vete sot te Vithania,
Zoti Krisht e Perëndia,
u lutemi atje të dëgjoni,
se ç’bëhet atje të mësoni.
Në qytet, në Vithania,
qante Marta dhe Maria.
Qanin e s’pushonin kurrë,
tri dit’ e tri net e thërrisnin,
të vëllanë e vajtisnin.
Katër ditë e u nis vetë,
Zoti Krisht e i vërtetë,
edhe i dolli Maria,
përjashta nga Vithania.
I ra Zotit nën këmbë:
“Po të ishe Zot këtu,
nuk na vdiste vëllai ynë,
se e kishe mik të dashur,
kaq kohë e kishe pasur.”
Thotë Zoti me të qarë:
“Eja me rrëfeni varrë.”
Sa e shpunë atje në varri:
“O Skëterrë, të erdhi prishja,
kjo e sotmja është nisja.”
Me të thënë këto fjalë,
shën Llazari dolli jashtë.
Mathitenjtë dhe apostojtë,
që të tërë me një gojë,
Llazarin po e pyesin:
“Llazaro ç’farë pe tregona,
në skëterrë vajte na thona”.
Edhe Llazari u thotë:
“Me gojë nuk u them dot,
gjë mos më thoni, veç në librë
të mësoni”.
Regjistruar në vitin 2014 në qytetin e Korçës nga e intervistuara, znj. Afroviti Naum Sovjani (85-vjeçare) me origjinë nga fshati Vodicë i Kolonjës, së cilës i jemi mirënjohës.
Regjistruesi: Thoma Shkira