Në datën 25 nëntor 2003, u mbushën 30 vjet nga fjetja, pas persekutimesh e mundimesh të shumta, e Imzot Irine Banushit, një nga figurat më të ndritura të Kishës sonë. Me këtë rast, të dielën, 23 nëntor, në Manastirin e Ardenicës, ku ndenji i internuar për shumë vjet dhe të cilin e shpëtoi nga tërbimi i verbër i ateizmit, u zhvillua një shërbesë përkujtimore. Merrnin pjesë besimtarë të ardhur nga Tirana, nga zona përqark, nga vendlindja e tij, Shkodra, familjarë etj. Liturgjia Hyjnore dhe më pas Shërbesa e Përshpirtjes u krye nga Kryepiskopi Anastas, së bashku me Imzot Ilia Ketrin.
Në fund, i pari iu drejtua të pranishmëve Imzot Ilia, i cili tha ndër të tjera:
“I nderuar Fortlumturi, të dashur besimtarë,
Ishte një ditë vjeshte, e diel, ditë feste e përkujtimit të Ngjalljes së Zotit tonë Jisu Krisht, ditë që besimtarët ndaloheshin, si çdo të diel dhe çdo ditë jave, për të vajtur në Kishë dhe Shqipërisë i mungonte balsami i adhurimit të Perëndisë, kryer me ritet shumëvjeçare të Orthodhoksisë. Për një shpirt të pikëlluar nga padrejtësitë, përbrenda një trupi të lodhur nga keqtrajtimi dhe sëmundjet, kjo ditë e 25 nëntorit ishte një ditë lindjeje në mbretërinë e Perëndisë. I shoqëruar nga dëshmorja e madhe Shën Katerina, një episkop shqiptar, hierodëshmor Irine Banushi, zuri vend në shoqërinë e etërve hierarkë të shenjtë, rreth e përqark altarit qiellor, së bashku me atin e tij shpirtëror dhe të parin Kryepiskop të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Imzot Kristofor Kisin.
Kjo ditë u bë ditë feste, sepse Zoti Perëndi pranoi një shpirt që ndrinte Ungjillin e dashurisë dhe shembullin e përulësisë.
Imzot Irineu jetoi një dëshmi për Zotin, që në fëmijërinë e tij e deri kur dha shpirt, më 25 nëntor 1973, në moshën 67-vjeçare. Në këtë përkujtimore të 30-vjetorit të fjetjes së tij, kam nderin të pranoj ftesën e Fortlumturisë së Tij, Imzot Anastasit dhe të Sinodit të Hirshëm të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të mbaj predikimin e rastit…”
Imzot Ilia vazhdoi me biografinë e Imzot Irineut dhe në fund falënderoi për punën e bërë autorin e librit “Episkop Irine Banushi”, z. Kristofor Beduli, duke kujtuar edhe figurën e një prej miqve më të ngushtë të Imzotit, z. Dhimitër Beduli, i cili kishte mbledhur mjaft materiale për jetën e veprën e tij.
Pastaj, folën miq të Imzot Irineut, të afërm të tij, etj., të cilët vunë në dukje rëndësinë e kësaj figure të shquar të Kishës dhe gjithashtu falënderuan veçanërisht Kryepiskopin Anastas për nderimin që i ka bërë dhe i bën atij.
Pastaj, të pranishmëve iu drejtua Fortlumturia e Tij Anastasi, i cili tha ndër të tjera:
“…Me të vërtetë, figura e Imzot Irine Banushit është nga më të respektuarat dhe më fisniket të hierarkisë të Kishës Orthodhokse të Shqipërisë. Trashëgimi që na ka lënë është tepër i çmuar… Ishte një njeri që tregoi besnikëri shumë të madhe dhe konsekuencë ndaj Kishës. Nuk i bëri bisht çasteve më të vështira. Nuk e mbylli gojën në momentet që shumë të tjerë e bënë këtë, për të siguruar rehatinë e tyre. Nuk u miqësua e as nuk bashkëpunoi me ata, të cilët donin shkatërrimin e Kishës. Nuk u fsheh. Ishte njeri i guximit, i cili kudo që u ndodh, me shumë takt, predikoi besimin. Nga ana tjetër, ishte njeri i durimit. Ai pa rënkuar i hoqi të gjitha ato vuajtje e tortura që i rezervoi sistemi ateist.
Kur fola për trashëgiminë, më kujtohet fjala e Shën Joan Gojartit: “Nderimi i martirit është imitimi i martirit”. Dhe, nëse do të donim vërtet të nderonim veprën kaq të nderuar të Episkopit të Apolonisë, Irineut, nuk mjafton vetëm të ndodhemi këtu, në përkujtimoren që po i bëhet. Duhet që llambadha e zemrës sonë të ndizet nga flaka e tij. Dhe, duke dalë jashtë, kur të mbarojë kjo shërbesë kaq e bukur, të përpiqemi, qoftë edhe pak, të imitojmë shembullin e tij. Të rrisim pak guximin tonë, pasi ai në periudha përndjekjeje kishte guxim. Ndërsa shumë nga ne, në qetësinë dhe konfortin e demokracisë shfaqen frikacakë. Ai, duke ditur se të gjitha që thoshte do t’i paguante me shpërfillje a me burg, nuk ngurronte… Kujt ia kemi frikën; vetëm Perëndisë dhe të vërtetës duhet t’i frikësohemi.
…Përshpirtjet nuk janë thjesht për të thënë fjalë të bukura. Përshpirtjet e episkopëve heronj duhet të jenë për ne një pikënisje e fuqishme, që të rritim guximin tonë, të fuqizojmë durimin tonë, që të rrisim edhe zërin tonë si Kishë… Irine Banushi ishte njeri i një besimi të thellë, i cili e njohu dhe e deshi Perëndinë. Këtu është problemi ynë më i madh. Guximi ynë është i pakët, durimi ynë i pakët, sepse edhe besimi ynë është i pakët. Por, këtë besim të pakët duhet ta fuqizojmë, duke thënë si ai ati i Ungjillit. Kur Zoti i bëri një kritikë të ashpër, ai i tha: “Besoj, o Zot, ndihmoje pabesinë time.”
Dita e sotme duhet të shërbejë për të forcuar besimin tonë, për të njohur më mirë Perëndinë dhe për të vënë një lidhje me të dhe gjithë të tjerat do vijnë. Kështu, Kisha e Shqipërisë do vazhdojë të jetë një bekim për të gjithë shoqërinë, duke u përfaqësuar nga njerëz me autoritet, nga njerëz të mësuar, nga njerëz me guxim, nga njerëz me dinjitet.
Pas shërbesave në kishë, Kryepiskopi, Imzot Ilia, familjarë të Imzot Irineut dhe mjaft besimtarë u mblodhën në një nga konakët e Manastirit, ku pati një bashkëbisedim të ngrohtë.