Lutja e Madhe
Mbas bekimit të Mbretërisë thuhet Lutja e Madhe. Kjo lutje hap çdo shërbesë liturgjike të Kishës Orthodhokse, si edhe të gjitha misteret dhe shërbesat e veçanta. Kjo është lutja e Kishës, që përfshin gjithçka që bëhet për çdo njeri dhe për çdo gjë. Ajo përbëhet nga lutje të ndryshme, të cilave populli i përgjigjet: Mëshiro o Zot.
Lutja e Madhe fillon me lutjet “me paqe” dhe “për paqen”. Pastaj, njerëzit vazhdojnë të luten për shpëtimin e shpirtrave të tyre, për qëndrimin e mirë të Kishave të Perëndisë dhe për bashkimin e të gjithëve; për ata që hyjnë brenda në Kishë me shprestari dhe frikë Perëndie; për episkopët, priftërinjtë, dhiakonët dhe tërë popullin në Kishë; për kombin e institucionet e tij, gjë për të cilën të gjithë janë të përgjegjshëm; presidentin, autoritetet civile dhe forcat e armatosura; për qytetin e vendin; për mot të mirë dhe begati të pemëve; për udhëtarët, të sëmurët, vuajtësit dhe robërit.
Së fundi, mbasi i kërkojnë Perëndisë shpëtimin nga çdo rrezik e nevojë, si dhe ndihmë për shpëtim, mëshirë dhe mbrojtje, populli kujton Hyjlindësen dhe tërë shenjtorët, duke i parashtruar vetveten dhe njëri-tjetrin dhe tërë jetën e tyre Krishtit, Perëndisë së tyre.
Lutja e Madhe mbaron me një doksologji drejtuar Trinisë të Shenjtë, të cilës i përket tërë lavdia, nderimi e adhurimi, tani e përherë e në jetë të jetëve. Lutja mbyllet përsëri me Amin nga populli.
Antifonet
Mbas Litanisë së Madhe këndohen vargje nga psalmet sipas rasteve të veçanta. Këto vargje nga psalmet janë quajtur antifone, sepse ato këndoheshin ndonjëherë, dhe ende këndohen në dy kore, secili, duke iu përgjigjur antifonisht tjetrit. Në çdo Liturgji Hyjnore ka tre antifone.
Historikisht, antifonet këndoheshin nga populli, në procesionin solemn drejt Kishës, ku Liturgjia Hyjnore e ditës do të kremtohej. Sot, ndonëse antifonet janë pjesë e shërbesës, ato ende formojnë përgatitjen e gëzueshme për hyrjen në adhurimin e Krishtit, nëpërmjet Fjalës së Ungjillit dhe në blatimin dhe marrjen e Kungimit Hyjnor.
Normalisht, psalmet e kënduara si antifone në Liturgjinë Hyjnore të Ditës së Zotit janë psalmet 103 dhe 146. Në ditë festash përdoren psalme të tjerë, që kanë lidhje me kremtimin e veçantë. Këtyre vargjeve nga psalmet iu shtohen edhe refrene, të cilët ndryshojnë sipas festave të ndryshme.
Mbas antifonit të dytë këndohet një himn i krijuar nga perandori Justinian, O i Vetëmlindur Bir. Ai është një himn i besimit në hyjnishmërinë e Krishtit dhe në mishërimin, kryqëzimin dhe ngjalljen, si “një nga Shën Trinia”, për shpëtimin e njerëzve.
Mbas dy antifoneve dhe këndimit të “O i Vetëmlinduri Bir”, që i përkasin çdo Liturgjie Hyjnore, këndohet, gjithashtu edhe një antifon i tretë. Në pjesën më të madhe të Kishave Orthodhokse, në të Diela të zakonshme këndohen si antifon i tretë Lumurimet nga Predikimi i Krishtit në Mal (Mat. 5:3-12). Lumurimet këndohen me refrene të marra nga fjalët që Kusari i Mirë tha në Kryq: Kujtona o Zot, kur të vish në Mbretërinë Tënde (Lluka 23:42). Në festa të ndryshme, vargje të veçanta psalmesh, së bashku me këndimin e Përlëshores së ditës, formojnë antifonin e tretë të Liturgjisë Hyjnore.