EmailFacebookKontakt

Liturgji Hyjnore festive për 100-vjetorin e Pavarësisë

Sipas traditës së Kishës Orthodhokse, për të përkujtuar ngjarjen e bekuar të çlirimit nga okupacioni 500-vjeçar dhe 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, më 28 Nëntor 2012, në Katedralen e Tiranës “Ngjallja e Krishtit” u krye Liturgjia Hyjnore Arkihieratike festive. Në të bashkëmeshuan Kryepiskopi i Tiranës dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi dhe anëtarët e Sinodit të Shenjtë.

Duke iu drejtuar besimtarëve, Kryepiskopi Anastas uroi për këtë ngjarje të bekuar historike të popullit shqiptar. Ai solli në kujtesë periudhën e egër të persekutimit të Kishës në shekullin e kaluar, ndërsa duke iu referuar sfidave të së ardhmes për popullin tonë përdori Periko- penë e Apostullit të ditës. “Do të na duhen më shumë besim, shpresë dhe dashuri”, nxiti besimtarët orthodhoksë, që duke u dalluar në këto tri virtyte, të vazhdojnë të japin kontributin e tyre të qenësishëm dhe të pandarë në shoqërinë shqiptare.

Në fund u bë Dhoksologjia e Flamurit. Gjatë saj u dëgjuan fjalët e lutjes mbi flamurin që thotë: “O Zot që bekon dhe shenjtëron, Ti bekoje flamurin tonë dhe shpëtoje shtetin tonë dhe popullin tonë nga çdo rrezik e vështirësi dhe drejtoje në rrugën e dritës, të lirisë dhe përparimit në Hijen Tënde dhe denjona ne të pavyerit të kremtojmë këtë ditë të lavdëruar me nder, shëndet dhe ditë të gjata kudo dhe kurdo. Se Ti je Perëndi mëshirë- plotë dhe njeridashës dhe Ty të drejtojmë lavdinë Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë tani e përherë e në jetë të jetëve. Amin”.

Më pas, në Qendrën Kulturore të Katedrales u dha një koncert festiv me rastin e 100-vjetorit nga grupe të qendrave arsimore dhe shpirtërore të Kishës sonë.