EmailFacebookKontakt

“Lirinë ta përdorim për vepra që bëhen sipas dëshirës së Perëndisë”

Me një program shumë të ngjeshur ishte edhe vizita e fundit e Kryepiskopit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Anastasit, në rrethinat e Mitropolisë së Gjirokastrës. Thelbi i gjithë vizitave dhe takimeve ishte shqetësimi i Fortlumturisë së Tij për përparimin me ritme të shpejta të të gjithë përpjekjeve që synojnë ripërtëritjen thelbësore të Kishës sonë.

Që herët në mëngjesin e së shtunës, 20 janar, Kryepiskopi u ndodh tek ndërtesa që po përshtatet për të strehuar zyrat dhe mjediset e Episkopatës së Gjirokastrës. Takimi me mjeshtrit ndërtues që punojnë aty, tregoi gjithë merakun e Fortlumturisë së Tij, që çdo gjë në Kishën tonë të bëhet në mënyrë perfekte, për të dëshmuar atë që do të përsëritej edhe në Predikimin Hyjnor të së Dielës, se ne, orthodhoksët, jemi të zotë të bëjmë gjithçka bukur dhe sipas nevojave të përpjekjes sonë për ngjallje.

Udhëtimi do të vazhdonte pastaj tek punishtja e drurit e KOASH, ku drupunuesit, pasi i uruan Kryepiskopit Anastas mirëseardhjen, morën bekimin e tij dhe Qalët lavdëruese për punën e mirë që po bëjnë dhe shembullin që japin për prodhimin e bazës së nevojshme materiale të Kishës për ringritjen e gjithë ndërtesave të kultit që u shkatërruan gjatë përndjekjes ateiste.

Në drejtim të Sarandës ndalesa tjetër në Muzinë, ku buzë rrugës ndodhet një kishë, që çdokush që kalon andej e vë re. Një kishë që rrezikohej me rrënim të plotë nëqoftëse Kryepiskopi, para dy muajsh, nuk do të kish dhënë bekimin dhe mbështetjen e tij materiale për fillimin e punimeve restauruese.

Aty u zhvilluan takime me ustallarët dhe epitropët e enorisë së Muzinës dhe Fortlumturia e Tij porositi që kisha e fshatit të tyre të bëhet ashtu siç ka qenë. Regjimi ateist e kishte transformuar kishën në vatër kulture dhe përpjekja për rikthimin në gjendjen e mëparshme, ndoshta është më e vështirë se ngritja e një të reje. Megjithatë, puna e deritanishme është shpresëdhënëse. Gurëskalitësit e zonës janë me emër për zotësinë e tyre dhe premtues për gjithë veprën e madhe dhe të vështirë të restaurimit të shumë kishave që kanë pasur të njëjtin fat me atë të Muzinës.

Edhe në Sarandë po bëhen ndërtime në një godinë që do të shërbejë si strehë e zyrave dhe qendër administrative e Kishës në atë zonë. Por, aty, vizita do të kishte edhe diçka që të trishton. Punimet në kishën e re të Shën Harallambit të Sarandës, një kishë madhështore kjo, që ka nisur të ndërtohet, ka disa javë që janë ndërprerë sepse vendimi i qeverisë për nevojën e vizës për hyrjen e qytetarëve grekë në vendin tonë, ka penguar personelin teknik të një shoqërie ndërtimesh, që ka marrë përsipër punimet. Ndaj është duke u kërkuar një zgjidhje e re që puna të vazhdojë sërish.

E shtuna, vonë pasdite, do të mbyllej në Ksamil, ku ndryshe nga Saranda, punimet në kishën e re, e cila do të mbajë emrin “Ngjallja e Zotit”, kanë ecur me ritme shumë të shpejta dhe brenda dy muajve të ardhshëm, sikundër iu përgjigj pyetjes së Kryepiskopit inxhinieri i veprës, do të jetë gati.

Gjatë gjithë udhëtimit, por dhe netëve deri vonë, Fortlumturia e Tij, Anastasi, do të takohej me shumë besimtarë; fëmijë, të rinj e të moshuar, të cilët shpeshherë kishin dhe problemet e dhimbjet e tyre, shqetësimin e të cilëve Kryepiskopi u përpoq ta ndanin.

Mesha Hyjnore e së Djelës u celebrua nga Fortlumturia e Tij Anastasi, Kryepiskop i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, në fshatin Dervician. Dhe gjatë Liturgjisë, akoma një lajm i bekuar. Një vëllai ynë, Efthimio Xhollo, jetoi çastin e lumtur të hirotonisej nga Kryepiskopi në dhiakon dhe pranoi urimet e gjithë besimtarëve që kishin mbushur kishën e “Fjetjes së Shën Marisë” të këtij fshati.

I mbushur gjithë shpresë, prej ati shpirtëror, ishte predikimi i Kryepiskopit, i cili shprehu shpresë për kapërcimin e të gjitha problemeve që i kanë dalë përpara Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë gjatë procesit të ripërtëritjes së saj, probleme të cilat ndonjëherë nuk janë të parashikueshme e të natyrshme. Kryepiskopi theksoi se “Liria erdhi për të mos u kthyer më kurrë. Çështja është sa ne jemi të zotë që lirinë që na solli Perëndia për ta lutur Atë ta përdorim për vepra të mira në jetë, për vepra që bëhen sipas dëshirës së Tij”.

Korresp. i “Ngjalljes”