Çfarë është liria? Cili është çmimi i lirisë? Kush është në të vërtetë i lirë dhe kush është me të vërtetë në robëri? Për shembull, a janë të gjithë shqiptarët të lirë, sepse jetojnë në një shoqëri demokratike? A ishit të gjithë ju në skllavëri, kur jetonit nën diktaturën e Hoxhës? Ç’mund të thoni për dikë që është në burg? Nëse dikush është në burg, mos do të thotë kjo, se ata nuk janë të lirë?
Kur Shën Pavli ishte në burg, ai shkroi një ndër letrat e tij më të bukura drejtuar kishës së Filipisë. Shpesh, kjo letër quhet letra e “gëzimit”. Në të, ai u thotë Filipianëve “Gëzohuni përherë më Zotin; përsëri do të them: Gëzohuni!” (Fil. 4.4). Ai nuk i ankohet Perëndisë për burgimin e tij, por gëzohet sepse ai thotë “sa më ngjanë mua ndihmuan më tepër për përhapjen e Ungjillit”. (Fil 1:12). Ndërsa ishte në burg, ai përpiqej të inkurajonte të krishterët në Filipi duke u shkruar: “Mos u shqetësoni për asgjë; por, në çdo gjë, le të bëhen të njohura kërkesat tuaja te Perëndia me të falenderuar, me anë të të falurit e të luturit. Edhe pajtimi i Perëndisë që kapërcen çdo mëndje do të ruajë zemrat dhe mendimet tuaja me anë Iisu Krishtit.” (Fil. 4:6-7).
Këtu, një njeri në burg u tregon të tjerëve jashtë burgut që të mos shqetësohen, por të luten me falenderime. Kush ishte në të vërtetë njeriu i lirë, Shën Pavli në burg apo të tjerët jashtë burgut?
Si ka mundësi që dikush që është në burg, dikush që vuan, dikush që duket se është në situatë të tmerrshme, të nxisë të tjerët që “të gëzohen” më Zotin? Megjithë hekurat e burgut që e mbyllën Shën Pavlin, a ishte në të vërtetë i burgosur? A nuk e bënte ky qëndrim gëzimi dhe dashurie atë të lirë, edhe pse fizikisht ai ishte në skllavëri? Ky lloj lirie është liria të cilën e gjejmë në besimin tonë tek Iisu Krishti.
Arsyeja që Iisu Krishti erdhi në tokë, dhe mesazhi kryesor i Ungjillit, është pikërisht ky – të zbulojë për ata që janë ende në skllavëri lirinë më Perëndinë dhe të shpallë rrugën e lirisë, të çlirimit. Iisu Krishti tha: “Njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë”. Iisui u afron të gjithë atyre që besojnë tek Ai dhe e kanë lidhur jetën me Të, lirinë – lirinë nga mëkatet që kontrollojnë jetën tonë, nga frika, kaosi, zakonet e këqija, paragjykimet, urrejtja, inati, dhe së fundi, liri edhe nga vetë vdekja. Krishti na jep ne lirinë të zgjedhim, për të pasuar Atë dhe për të marrë pjesë në jetën e mrekullueshme të Krishterimit! Secili prej nesh është thërritur të zbulojë lirinë që kemi dhe më pas prej nesh pritet që të bëhemi instrumente të Perëndisë dhe të ndajmë lajmin e mrekullueshëm të lirisë sonë me të tjerët, të cilët janë në skllavëri! Sa kuptim dhe qëllim i jep kjo jetës tonë – të sjellim lirinë atyre që janë në nevojë!
Kur lexojmë Ungjillin, shohim se është kryesisht një regjistrim historish të njëpasnjëshme që përshkruajnë lirinë që u sjell Perëndia njerëzve në skllavëri. Për shembull, në Dhjatën e Vjetër, historia qendrore është historia e hebrejve, të cilët ishin skllevër në Egjipt për 400 vjet. Gjatë kësaj kohe të skllavërisë ata filluan t’i kërkonin ndihmë Perëndisë. Ata e dinin se ishin skllevër, e kuptuan nevojën për ndihmë, dhe i thirrën Perëndisë që t’i shpëtonte. Kështu, Perëndia dërgoi Moisiun për të qenë instrumenti i Tij, i cili do të çlironte izraelitët. Dhe Moisiu shkoi përballë Faraonit, sunduesit të Egjiptit, dhe i tha: “Lëre popullin tim të shkojë i lirë”. Ai bëri shumë mrekulli, duke treguar fuqinë e Perëndisë, derisa, më në fund, egjiptianët arritën të kuptonin, se nuk mund të luftonin kundër Perëndisë dhe lanë popullin izraelit të lirë.
Duke vazhduar të lexojmë Biblën dhe të hyjmë në Dhiatën e Re, lexojmë jetën e Iisuit, e cila përsëri është një histori lirie. Ne shohim Iisuin në jetën e Tij të bëjë vazhdimisht njerëz të lirë – nga sëmundja, nga urrejtja, nga rrugët e dëmshme të jetës. Iisui ofron të gjithë llojet e lirisë – fizike, mendore, shpirtërore. Pas çdo çlirimi Ai u thotë njerëzve: “shkoni dhe bëni të njëjtën gjë. Shkoni dhe bëni njerëzit e mi të lirë.”
Iisui në radhë të parë na thotë: “Unë ju dua. Unë do të derdh dashurinë Time mbi ju dhe do t’ju bëj të lirë me dashurinë time. Por, duke pranuar dashurinë time, dua që ju të shkoni dhe ta ndani dashurinë time me të tjerët. Tregojuni njerëzve të tjerë për dashurinë time, si nëpërmjet fjalëve ashtu edhe nëpërmjet veprimeve tuaja”.
Sigurisht, Iisui na jep shembullin e përkryer se çfarë të bëjmë nëpërmjet jetës së Tij. Me mësimet e tij të mrekullueshme, na tregoi ne dashurinë e Tij dhe na bëri të lirë nëpërmjet veprave të tij, jo vetëm me fjalë. Nëpërmjet jetës së Iisuit, Perëndia hyri në situatën e tmerrshme të skllavërisë njerëzore, duke marrë pjesë në dhimbjen tonë dhe duke vuajtur, me mbërthim në Kryq, duke pasur një vdekje të tmerrshme për hir të botës, dhe, më pas, theu vargonjtë e vuajtjes dhe e bëri botën të lirë nga fuqia e Satanit, mëkatit dhe vetë vdekjes. Ai kuptoi se qëllimi i jetës së Tij në tokë ishte që të bënte botën të lirë!!! Dhe Ai u tha pasuesve të Tij: “Shkoni dhe bëni të njëjtën gjë”!
Kështu, çmimi i lirisë nuk është një barrë e rëndë për ne që ta pasojmë. Çmimi i lirisë është thjesht përgjegjësia të shkosh dhe të ndihmosh të tjerët, të shkosh dhe t’i bësh njerëzit e tjerë të lirë – të duash të tjerët, t’u shërbesh të tjerëve, dhe të ndash lirinë tonë me ta. Sa çmim i mrekullueshëm për t’u paguar! Dhe çfarë mesazh i mrekullueshëm ai i Krishtërimit! Së pari, thërritemi të përjetojmë dashurinë e Perëndisë në jetën tonë. Ne duhet të përjetojmë çlirimin e Krishtit! Kujtoni, së pari vjen dashuria dhe liria, pastaj përgjegjësia.
Mendoj se të gjithë jemi dakord se dhurata më e madhe është dashuria – të duash dhe të të duan të tjerët. Asnjë prej nesh s’mund të mbijetojë, pa përjetuar dashuri dhe pa pasur asnjë njeri me të cilin të ndajmë dashurinë tonë! Pra ky është çmimi, një çmim i mrekullueshëm për t’u paguar! Të duash të tjerët dhe t’u sjellësh të tjerëve gëzimin e lirisë!
Dashuria dhe liria shkojnë dorë për dore. Dashuria të çon në liri dhe liria të çon në shërbim dashurie! Ti bësh njerëzit e tjerë të lirë! Ky është çmimi i lirisë!
Le të përpiqemi të gjithë për ta gjetur këtë liri dhe të bëhemi instrumenta në ndarjen e kësaj lirie me të gjithë shokët tanë, familjen dhe këdo që takojmë.