Dhe në ato ditë doli nga Çezar Augusti një urdhëresë që të regjistrohej e gjithë bota. Ky regjistrim i parë u bë kur guvernator i Sirisë ishte Kuirini. Dhe të gjithë shkonin të regjistroheshin, secili në qytetin e vet. Edhe Josifi u ngjit në Galile, nga qyteti i Nazaretit, në Jude, në qytetin e Davidit, të quajtur Vithleem, se ishte nga shtëpia dhe fisi i Davidit, për t’u regjistruar bashkë me Marinë, të vluarën e tij, që ishte shtatzënë. Dhe ndërsa ata ishin atje, asaj iu mbushën ditët për të lindur; dhe ajo lindi birin e saj të parëlindur, dhe e mbështolli në shpërgënj, dhe e vuri në një grazhd, sepse nuk kishte vend për ta në bujtinë.
Dhe po në atë vend ishin disa barinj që rrinin në ara dhe natën bënin roje në tufën e tyre. Dhe engjëlli i Zotit erdhi tek ata, dhe lavdia e Zotit shkëlqeu rreth tyre, dhe atyre u hyri një frikë e madhe. Dhe engjëlli u tha atyre: Mos u frikësoni, se ja, po ju sjell lajmin e mirë për një gëzim të madh që do të ketë gjithë populli: Se sot, në qytetin e Davidit ju lindi një shpëtimtar, i cili është Krishti Zot. Dhe kjo do t’ju shërbejë si shenjë: do të gjeni një foshnjë të mbështjellë me shpërgënj e të shtrirë në një grazhd.
Dhe përnjëherë, me engjëllin u duk një numër i madh i ushtrisë qiellore, që lavdëronin Perëndinë e thoshin: Lavdi Perëndisë që është në të lartat dhe paqe mbi tokë, ndërmjet njerëzve, mirëdashje.
Dhe kur engjëjt ikën prej tyre në qiell, barinjtë i thanë njëri-tjetrit: Shkojmë, pra, deri në Vithleem të shohim ç’ka ngjarë, e që Zoti na e bëri të ditur. Dhe ikën me nxitim, e gjetën Marinë e Josifin dhe foshnjën e shtrirë në grazhd; dhe si e panë, treguan për atë që u ishte thënë atyre për këtë foshnjë.
Dhe të gjithë ata që dëgjonin, u mahnitën nga ato që u thanë atyre barinjtë. Dhe Maria i ruante në vetvete gjithë këto fjalë, duke i menduar në zemër të saj. Dhe barinjtë u kthyen, duke lavdëruar e himnuar Perëndinë për gjithë ato që kishin dëgjuar e parë, siç u ishte thënë atyre.
Dhe kur u mbushën të tetë ditët, në krye të të cilave djali duhej të rrethpritej, i vunë emrin Iisu, që i ishte dhënë nga engjëlli para se ai të ngjizej në bark.” Lluk. 2: 1-21