Më 24 qershor u festua lindja e Shën Joan Pagëzorit në manastirin e Shën Joan Prodhromit të Voskopojës. Shekuj me radhë, çdo vit, orthodhoksët festojnë këtu me përulësi kujtimin e shenjtit. Dëshmitarë për madhështinë e kësaj feste sot janë pyjet shekullore dhe livadhet rreth e rrotull manastirit, rrënojat e kompleksit të këtij manastiri, bashkë me kishën në mes së këtyre gërmadhave, e cila edhe kjo vazhdon rrënimin tragjik.
Gjatë periudhës 50-vjeçare të diktaturës, me gjithë shkatërrimet që iu bënë manastirit dhe vendosjes aty të një reparti ushtarak, shumë besimtarë vinin të kremtonin këtë ditë fshehurazi, ndonëse të rrezikuar nga sistemi. Ndërsa tani sërish celebrohet me madhështi, me pjesëmarrjen e mijëra besimtarëve. Si çdo vit, dhjetra e dhjetra besimtarë kaluan familiarisht natën në lëndinat rrotull manastirit. Një nga godinat, e restauruar provizorisht, shërben si konak fjetore. Dhe, që herët në mëngjes autobuzë të shumtë dhe automjete të tjera shkonin e vinin nga Korça e fshatrat rrotull për të sjellë besimtarët.
Liturgjia Hyjnore u celebrua nga At Jani Trebicka, At Thoma Samara, At Todi Jovani dhe dhiakon Kristaq Visi, si dhe nga At Justini. Me qindra dhe qindra besimtarë hynin në kishë dhe dilnin për t’ju lënë vendin turmës tjetër që priste jashtë.