EmailFacebookKontakt

Lindja e Krishtit tonë të dashur

Vendet e Galilesë kanë qenë plot gjelbërim, të çelura, gëzim Perëndie.

Pyje të mëdha gështenjash mbulonin fushat edhe malet; mollë, shegë, fiq dhe vreshta, portokalle, bajame dhe rrepet lëshonin kudo hije dhe freski në fshatrat dhe qendrat që mbinin dhe shtrinin shtëpizat e tyre, si guriçka të bardha katrore në brigjet e lumit. Kudo rridhnin ujra të gëzueshme, aty këtu ngrinte shtatin ndonjë qiparis me gjelbërimin e tij të errët duke lëshuar një hije të thellë dhe serioz në gjithë këtë buzëqeshje të gjelbër. Në pranverë, mori lulesh të egra ngjyra-ngjyra mbulonin fushat deri tej, si një qilim lindor shumëngjyrësh dhe erëmirë.

Njerëzit që jetonin në ato vende të bekuara të Galilesë ishin fshatarë të thjeshtë, trima e bujarë. Shkollë nuk kishin, por përpara linjave të buta të maleve dhe në gjelbërimin që derdhej në fushë, shpirti i tyre lartësohej vetë në adhurim poetik të Perëndisë, që i kishte falur vendit të tyre të mirat e Parajsës.

Dhe kështu, kur midis tyre u ngrit një i veçantë nga gjithë të tjerët e u foli për mirësinë e Perëndisë, që i kupton të gjitha dhe i fal të gjitha, i Cili edhe mëkatarët i do si bij të Tij fatkeqë, Galileasit e mirë u mblodhën rreth Tij dhe e besuan, dhe e deshën, dhe e adhuruan.

Duke e parë së largu, fëmijët vraponin drejt Tij dhe e kapnin nga duart dhe nga rrobat; nënat buzëqeshnin dhe i dërgonin fëmijët e tyre të vegjël, që t’u vinte duart e Tij mbi kokë për t’i bekuar. Dhe, kur dikush largonte fëmijët, që të mos e shqetësohin, Ai i thërriste përsëri pranë vetes dhe priste buzëqeshjen e tij të ëmbël dhe thoshte: “Lërini fëmijët të vijnë pranë meje, sepse të gjithë atyre sa janë si ata, të dlirë dhe të pafajshëm, atyre u përket Mbretëria e Qiejve”.

Paqja, ëmbëlsia, mirësia e Tij e palodhshme, bukuria e Tij, që nuk ishte njerëzore por e ndriçuar nga fuqia hyjnore që kishte brenda Tij, magjepste Galileasit, i zbuste, i bënte më të mirë, dhe kudo ku kalonte linte, si një buzëqeshje në jetën e atyre që e dëgjonin, gëzim dhe paqe, që nuk ishin tokësore.

E quanin Iisu dhe ishte marangoz.

Thoshin për Të shumë gjëra të çuditshme dhe të padëgjuara më parë dhe banorët e qetë të Galilesë i thoshin përsëri dhe përsëri midis tyre dhe çuditeshin, dhe mrekulloheshin.

Lindi në Vithleem të Judesë dhe nëna e Tij ishte Virgjëresha Mari.

Ishte ende e lirë, e fejuar me një marangoz të varfër në Nazaret të Galilesë, Josifin, kur një ditë që lutej në kishë, engjëlli Gavriil u shfaq para saj dhe i tha se Zoti zgjodhi atë, Virgjëreshën, më të bukurën dhe më të qashtrën midis gjithë vajzave të Galilesë, për t’u bërë nëna e Birit të Tij.

Në atë kohë Hebrenjtë kishin humbur pavarësinë e tyre politike; gjithë Palestinën e qeverisnin Romakët. E kishte pushtuar Pompeu, 63 vjet para se të lindte Iisui dhe kishte caktuar mbret të saj Irodhin e Madh, që ishte me origjinë hebraike. Irodhi ishte i aftë, por zemërgur, gjakatar dhe plotësisht i nënshtruar te Perandori Romak August dhe tek të gjitha autoritetet romake që e kishin ndihmuar të ngjitej në fron rreth 30 vjet më parë.

Ato ditë Perandori August kishte nxjerrë një urdhër që të bëhej regjistrimi i gjithë banorëve në të gjitha vendet e shtetit romak. Sipas zakonit të Hebrenjve, çdo Izraelit duhej të regjistrohej në qytetin nga i cili rridhte, ndërsa sistemi romak, përkundrazi, kërkonte që çdo banor të rregjistrohej në vendin e banimit të tij. Por, për të evituar pakënaqësitë që çonin shumë kollaj në trazira Hebrenjtë e ndjeshëm pranuan zakonin e vendit, që secili të regjistrohej në vendin nga e kishte prejardhjen familja e vet.

Josifi rridhte nga familja e Davidit. Dhe, ngaqë atdheu i Davidit dhe i familjes së tij ishte Vithleemi, vajti bashkë me të fejuarën të regjistrohej në vendin e tij.

Por, në Vithleem ishin grumbulluar për rregjistrimin kaq shumë njerëz, saqë Josifi me Virgjëreshën Mari nuk gjetën vend ku të rrinin. U detyruan, pra, në mes të natës, të futeshin në një stallë. Aty lindi Iisui.

Ngaqë në stallë nuk kishte as krevat dhe as shtrat, Maria mbështolli Fëmijën e saj dhe e vuri në një grazhd.

Ishte natë e ftohtë dimri.

Jashtë, në fushë, barinjtë ruanin bagëtitë e tyre dhe nuk binin për të fjetur, nga frika se mos vinte ujku dhe ua hante.

Papritur, ndriçoi një dritë e fuqishme dhe një engjëll u shfaq para tyre.

Barinjtë u frikësuan shumë. Por engjëlli u tha:

– Mos kini frikë, sepse po ju sjell një lajm të mirë, që do t’i japë gëzim gjithë botës. Sot, në qytetin e Davidit, lindi Shpëtimtari, që është Krishti, Zoti. Shenja që do t’ju udhërrëfejë do të jetë kjo: Do të gjeni një foshnjë të mbështjellë dhe të shtrirë në një grazhd.

Kur engjëlli ishte duke folur, papritur u hap qielli dhe një legjion engjëjsh të tjerë u bashkuan me të, lavdëronin dhe thoshin: “Lavdi Perëndisë në më të lartat dhe mbi dhe paqe dhe mbi njerëzit mirëdashje”.

Engjëjt u larguan dhe atëhere barinjtë u ngritën dhe shkuan në Vithleem; gjetën stallën që u kishte thënë engjëlli dhe duke hyrë panë Foshnjën që flinte në grazhd dhe Nënën e Tij që i rrinte në krah edhe Josifin.

Stalla ishte e errët, por Foshnja rrezatonte kaq shumë dritë saqë ajo iu duk atyre si pallat.

Ranë në gjunjë të mallëngjyer përpara grazhdit dhe u falën.

Ato ditë vinin në Jerusalem magë, të urtë dhe astrologë nga Lindja dhe thoshin:

– Ku është Mbreti i porsalindur i Judenjve? Pamë yllin e Tij në Lindje dhe erdhëm t’I falemi.

E dëgjoi këtë gjë edhe Irodhi dhe u trondit shumë dhe bashkë me të edhe gjithë Jerusalemi.

Thirri të gjithë kryepriftërinjtë dhe shkruesit që interpretonin Shkrimin edhe Ligjin dhe i pyeti se ku kishte lindur, sipas profecive, Krishti, Mesia i tyre që e prisnin për shpëtimin e Izraelit.

Iu përgjigjën: – Në Vithleem të Judesë. Sepse Shkrimi thotë: “Nga ti, Vithleem, do të dalë udhëheqësi që do të drejtojë popullin tim Izrael”. Kjo përgjigje e tmerroi Irodhin edhe më tepër, sepse kujtoi se kështu po vinte një mbret i dytë.

Thirri fshehurazi magët dhe pasi mësoi prej tyre se kur u shfaq me saktësi ylli, urdhëroi të gjenin fëmijën dhe të vinin t’i thoshin që të shkonte gjoja edhe ai t’i falej.

Magët bënë siç u tha Irodhi dhe u nisën për në Vithleem. Përpara tyre ishte ylli që kishin parë në lindje dhe i udhëhoqi në vendin ku ishte Foshnja. Aty ndaloi.

Ata, duke e parë, u gëzuan shumë dhe duke arritur në shtëpi panë Fëmijën me Marian, nënën e Tij; ranë përtokë dhe lu falën. Hapën thesaret e tyre dhe dhanë dhurata, ar, livan dhe smirnë.

Kur erdhi çasti të largoheshin, ju shfaq në ëndërr Perëndia dhe i urdhëroi të mos ktheheshin më tek Irodhi, kështu që morën rrugë tjetër dhe u kthyen në vendin e tyre.

Sapo u larguan Magët, një engjëll i Zotit iu shfaq Josifit në ëndërr dhe i tha:

– Ngrihu, merr Djalin dhe nënën e Tij dhe shko në Egjipt dhe qëndro aty deri sa të të jap urdhër tjetër, sepse Irodhi ka ndërmend të kërkojë Djalin për ta vrarë.

Josifi u ngrit menjëherë, mori Djalin dhe nënën dhe iku natën për në Egjipt, ku qëndroi deri sa vdiq Irodhi.

Irodhi, kur pa se Magët e mashtruan, u nxeh shumë dhe që të mos dilnin të vërteta ato që i thanë dhe të mos bëhej tjetër mbret i Judenjve dha urdhër të therrnin të gjithë djemtë nga dy vjeç e poshtë që gjendeshin në Vithleem dhe rrethinat e tij.

Zi e madhe ra në gjithë Judenë me urdhrin e zemërgurit Herod; të gjithë djemtë e vegjël i therrën dhe të gjitha nënat vajtuan dhe mallkuan tiranin që derdhi kaq shumë gjak të pafajshëm. Ndërkohë, Irodhi i Madh mbaronte jetën e tij i mbytur në gjak, i sëmurë nga një sëmundje e frikshme, nga e cila kalbej i gjallë. I urryer nga të gjithë, shpirti i doli me vuajtje ferri dhe ashtu siç e kishte parashikuar vetë, vdekja e tij u bë gëzim për gjithë mbretërinë.

Pas vdekjes së tij, Romakët pranuan që mbretëria e tij të ndahej midis tre prej bijve të tij, Arkelait, Herod Andipës dhe Filipit. Uniteti i Palestinës ishte përçarë. Pas Irodhit të Madh nuk pati më asnjë mbret të Judenjve.